Pas atij debutimi spektakolar të Italisë në Euro 2020, sot është radha e Zvicrës së shqiptarëve, që bën pjesë në të njëjtin grup, në Grupin A. Zvicra do të ndeshet me Uellsin në Baku të Azerbajxhanit, një nga vendet pritëse të këtij kompeticioni.
Do të jetë një sfidë mes Granit Xhakës, kapitenit të zviceranve, por edhe Xherdan Shaqirit e Admir Mehmedit, me Gareth Bejl, yllin e uellsianëve. Vetëm pak ditë më parë Shqipëria barazoi pa gola ndaj Uellsit në Kardif, por sot do të jetë një “muzikë” ndryshe për një nga skuadrat surprizë të Europianit. Zvicra ka më shumë lojtarë me përvojë dhe shihet si favorite në këtë ndeshje.
Në orën 18:00, Danimarka do të presë Finlandën, një tjetër skuadër surprizë. Danezët do të bazohen te dy lojtarë ekspertë, siç janë mbrojtësi Simon Kjaer i Milanit dhe mesfushori i Interit, Kristian Eriksen. Për të karikuar ekipin kanë shkuar në grumbullim edhe disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit danez. Danimarka ka favorin që luan në shtëpi, por ka edhe më shumë kualitet si skuadër.
Në mbrëmje do të jetë radha e Belgjikës, që konsiderohet si një nga pretendentet për fitimin e trofeut. Ndaj Rusisë belgët nuk do të kenë në dispozicion Kevin De Bryjnen, yllin e Mançester Sitit që është i dëmtuar, por edhe mesfushorin Aksel Vitsel. Gjithsesi, Belgjika ka një organikë të pasur, ndërsa pika e referimit do të jetë Romelu Lukaku, kampion Italie me Interin. Te Rusia është regjistruar ndërkohë rasti i parë pozitiv me Covid-19 i Europianit. Ai është 23-vjeçari Andrei Mostovoi.
Ndeshjet e sotme
Grupi A
Uells-Belgjikë 15:00 (Baku)
Grupi B
Danimarkë-Finlandë 18:00 (Kopenhagen)
Belgjikë-Rusi 21:00 (Shën Pietërburg)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.