Treg

Zbehet interesi i shqiptarëve. Rritje anemike tek fondet e investimit

Nga Gazeta 'SI' - Shqiptarët nuk janë shumë të interesuar për investime alternative.

Kështu tregojnë shifrat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për tregun e fondeve të investimit, që prej muajsh po përjeton rritje anemike.

Deri në fund të marsit 2024, numri i anëtarëve në fondet e investimeve raportohet 33.2 mijë, rritje modeste nga fundi i 2023-shit. Pak është rritur edhe vlera e aseteve, nga 50 mld në fund të 2023-shit në 51.6 mld në fund të marsit 2024, rreth 2.7%.

Tregu vijon të dominohet nga obligacionet qeveritare, që përbëjnë rreth 61.6% ndaj totalit, me një rënie 1% nga dhjetori 2023.

Fondet e “Raiffeisen” janë ato që mbajnë pjesën më të madhe të tregut të fondeve të investimit, me më shumë se 30 mijë anëtarë më shumë se 45 mld lekë. Në total në treg operojnë 13 fonde.

Të dhënat e fundit nga AMF tregojnë se për tre muajt e parë 2024, individët blenë 12.1 mld lekë borxh të qeverisë me rënie vjetore 20%, duke konfirmuar zbehjen e interesit për investime. Nga ana tjetër ata mbeten të tërhequr nga kredia bankare.

Fondet e Investimit janë një alternativë investimi ku asetet mund të grupohen dhe të krijohen portofole investimi, të cilat cilësohen si shumë të vështira për t’u krijuar nga një investitor individual në mënyrë të pavarur. Kthimi nga investimi në fond është në varësi të kushteve në treg, karakteristikave të fondit dhe strategjisë së investimeve që fondi vë në zbatim. Fondi i investimit nuk mund të garantojë një kthim të caktuar, si në rastin e depozitave. Ato kanë vetëm një tarifë administrimi, vjetore.

Pak kohë më parë, FMN i rekomandoi AMF-së të ushtrojë më shumë kujdes dhe të fokusohet në rritjen e këtij segmenti si një element me rëndësi për tregun financiar vendas.  

Para pak muajsh, Parlamenti miratoi ligjin e ri për “Fondet e pensioneve private”, që i hap rrugë krijimit të një tregu privat pensionesh, paralel atij shtetëror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë