Politike

‘Zbatimi i reformave, sfida kryesore e negociatave për anëtarësim në BE’. Ministrja Antikorrupsion: 2027-a, afat realist

Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria beson se këtë vit do të hapë negociatat për të gjithë grupkapitujt me Komisionin Europian duke i qëndruar planit për përmbylljen e pjesës teknike deri në fund të vitit 2027.

Ministrja Antikorrupsion, Adea Pirdeni, e cila drejton negociatat kyçe, ato për shtetin e së drejtës, antikorrupsionin etj, tha në një intervistë për Gazetasi.al, se, megjithëse është fillimi, gjithçka po shkon sipas parashikimeve.

“Ne kemi dakordësuar një kalendar shumë ambicioz, por do të thoja edhe realist, pasi mendojmë që për një periudhë kohe 3 vjeçare, deri në fund të viti 2027, do të arrijmë të përmbyllim negociatat në nivel teknik. Më pas, procesi i aderimit kërkon edhe firmosjen e vendeve anëtare, por kjo është korsia politike, ku kalon procesi i aderimit”- u shpreh Ministrja Pirdeni, e cila gjatë intervistës shprehet edhe për vështirësinë më të madhe të procesit, zbatimin e reformave.

Prej këtij treguesi kyç varet edhe mbështetja financiare që BE do të japë për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Fondi për Shqipërinë llogaritet në rreth 900 milionë euro.

“Kjo do të thotë që Shqipëria duhet që deri në 2027-n, të dëshmojë që ka realizuar mbi baza 6 mujore, të gjitha reformat që janë parashikuar në plan. Pra, çfarë shkruhet në letër, të zbatohet.”- tha Ministrja Antikorrupsion, e cila vendos në peshore edhe kostot dhe përfitimet nga procesi i anëtarësimit në BE, si dhe flet për masat e pritshme parandaluese antikorrupsion.

Gazeta Si: Shqipëria i ka vendosur vetes afate shumë ambicioze për mbylljen e procesit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian brenda vitit 2027. Sa realist është ky angazhim?

Ade Pirdeni: Pyetja vjen në një moment shumë të mirë për Shqipërinë, pasi ne kemi hapur dy grupkapitujt e negociatave, kapitullin e parë, që quhet Themeloret, i cili hapet i pari dhe mbyllet i fundit, si dhe, në mes të dhjetorit, kemi hapur grupkapitullin e 6-të, Marrëdhëniet me Jashtë.

Kjo është një fushë ku Shqipëria krenohet, pasi është 100% e linjëzuar me politikat e sigurisë së përbashkët dhe politikën e jashtme të BE. Besojmë se Shqipëria është në një moment shumë të mirë, pozitiv për të avancuar me procesin e negociatave me një ritëm të ri dhe të rienergjizuar. Kemi krijuar tashmë një masë kritike ekspertize për të kuptuar se çfarë na pret përpara dhe me dëshirën e mirë që do të arrijmë t’i përmbahemi atij afati që ka vendosur Komisioni Europian për të përmbyllur negociatat në nivel teknik brenda vitit 2027. Gjatë gjithë këtij procesi diskutimesh në Komisionin, ne kemi dakordësuar një kalendar, i cili është shumë ambicioz, por do të thoja edhe realist, pasi ne mendojmë që për një periudhë kohe 3 vjeçare, 2025, 2026, 2027, me këtë ritëm që kemi nisur, jemi shumë optimistë që do të arrijmë të përmbushim dhe të përmbyllim negociatat në nivel teknik.

Më pas, procesi i aderimit kërkon edhe firmosjen e vendeve anëtare, sepse procesi i negociatave ka dy korsi. Ka një korsi në nivel teknik, por ka edhe korsinë e saj diplomatike dhe politike, ku kërkohet angazhimi i të gjithë shteteve anëtare, të cilët do të duhet të krijojnë konsensus të brendshëm. Në këtë kuptim, aderimi brenda vitit 2030 nënkupton jo vetëm përmbushjen e të gjitha detyrimeve në nivel teknik, por, gjithashtu, arritjen e konsensusit politik me të 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian, të cilët duhet të dakordësohen përmes ratifikimit të traktateve të aderimit të Shqipërisë në BE.

Gazeta Si: Cilat janë prioritetet kryesore këtë vit në procesin e negociatave dhe çfarë vështirësish keni evidentuar si më të mëdhatë deri në 2027-ën?

Adea Pirdeni: Vështirësitë janë për të gjithë grupkapitujt. Ne shpresojmë dhe kemi bindjen që këtë vit do të kemi gjithë mbështetjen e mundshme për të hapur të gjithë grupkapitujt dhe besojmë që, përmes kësaj fryme pozitive, të nisim edhe një proces që ka të bëjë edhe me një informim më të gjerë publik për të gjithë avantazhet e procesit të integrimit, elementët që kanë të bëjnë me vështirësitë që mbart ky proces. Shqipëria do të duhet të thellojë reformat në të gjitha fushat. Përshembull, një nga reformat kyçe, reforma në drejtësi, do të duhet të avancojë dhe të vërtetohet se po zbatohet përgjatë gjithë procesit të negociatave.

Por edhe në rrafshin ekonomik, aktorët e tregut do të jenë ata të cilët do të duhet të jenë më të angazhuar dhe më të përfshirë në procesin e negociatave, duke qenë se aderimi i Shqpërisë në BE do të ketë përfitime të ndjeshme për qytetarët dhe për bizneset, të cilët, gjatë këtij procesi mund të përballen edhe me kostot që vijnë nga procesi i integrimit. Besoj, se siç është dëshmuar edhe në vendet e tjera, që kanë aderuar në Bashkimin Europian, këto kosto, pas aderimit në BE, përkthehen në përfitime më të shumta.

Gazeta Si: Bashkimi Europian i ka premtuar Shqipërisë rreth 900 milionë euro, në varësi të reformave që kryen për procesin e anëtarësimit. Është e aftë Shqipëria të përthithë këto fonde, pasi në të kaluarën ne kemi humbur shumë raste të tilla?

Adea Pirdeni: Ju po i referoheni planit të rritjes së BE-së prej 6 miliardë eurosh, një nga instrumentat më të rëndësishme financiare për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky plan i mbështetjes financiare, si përmes granteve, edhe kredive lehtësuese, do t’u akordohet shteteve përmes një sistemi të ri, që kushtëzon mbështetjen me reformat.  Kjo do të thotë që Shqipëria duhet që deri në 2027-n, të dëshmojë që ka realizuar mbi baza 6 mujore, të gjitha reformat që janë parashikuar në plan.

Pra, çfarë shkruhet në letër, të zbatohet. Kjo mori reformash të parashikuara, të cilat nisin që nga reformat që kanë të bëjnë me përmirësimin e klimës së biznesit, me përmirësimin e shërbimeve të kadastrës ose përmirësimin e të gjithë legjislacionit në fushën e investimeve, reforma që kanë të bëjnë me avancimin e procesit të ekonomisë  së energjisë dhe tranzicionit të gjelbër në Shqipëri, çdo gjë që ka të bëjë me tranzicionin digjital dhe, mbi të gjitha, me fokusin më të madh të kapitalit njerëzor, ku parashikohet që Shqipëria duhet të vijojë më tej punën për shtrirjen në mënyrë kapilare të sistemit të laboratorëve smart nëpër shkolla ose forcimin e sistemit të arsimit professional, të gjitha këto janë të rëndësishme, sepse përkthehen më pas në para. Por, gjithashtu, të rëndësishme janë edhe një sërë reformash në fushën e shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit.

Gazeta Si: Komisioni Europian i ka lënë Shqipërisë disa detyra, një prej të cilave është strategjia e re antikorrupsion deri në 2030-ën, një fushë që ju e mbuloni direkt. Çfarë do të thotë kjo strategji në një mënyrë sa më të kuptueshme dhe konkrete?

Adea Pirdeni: Ajo që është më e rëndësishme është se ne e dimë se ku duhet të adresohen dhe targetohen veprimet tona. Tani që reforma në drejtësi ka krijuar institucione të qendrueshme në luftën kundër korrupsionit, të cilat po prodhojnë rezultat të qenësishme dita-ditës, fokusi ynë më i madh është drejt parandalimit, drejt masave me natyrë sistemike për të garantuar që, në ato fusha ku korrupsioni është më prevalent ose ato fusha që janë më vulnerabël ndaj korrupsionit të mund të adresohen në mënyrë të qartë.

Mund të përmend fushën e pronave, fusha e prokurimit publik, fusha e tatimeve dhe doganave, fushat që lidhen me shëndetësinë. Këto janë disa fusha që deri në 2030-ën, siç parashikohet në strategjinë e miratuar, të kenë një fokus të veçantë. Kemi parë të nevojshme që të gjitha masat kundër korrupsionit të kenë një shtrirje kapilare edhe në pushtetin vendor. Dua të përmend faktin që kemi nisur një analizë me Ministrinë e Arsimit për t’u fokusuar tek e gjithë kurrikula e sistemit parauniversitar në Shqipëri. Ne mendojmë se, pavarësisht trajnimeve që bëjmë me administratën apo target grupet nga më të ndryshmet, është esenciale që brezat e rinj të edukohen me kulturën e sjelljes etike, duke induktuar elementë të dilemave morale që në moshë të hershme. Në radhë të parë kjo do të thotë të jesh një qytetar me integritet dhe si të shmangësh një sjellje korruptive më vonë.

Gazeta Si: Çfarë do të bëjë qeveria që prokurimet publike të mos jenë gjerësisht korruptive, siç është perceptimi, me 1 konkurent, me garë të paracaktuar, me gati maksimumin e fondit limit etj, pavarësisht se ligji vlerësohet në standardet e BE-së?

Adea Pirdeni: Në raportin e fundit, Shqipëria vlerësohet se ka një përafrim dhe të standardeve të legjislacionit të Bashkimit Europian në masën 91% nga 100%. Do të thotë që, edhe me ndryshimet e legjislacionit që u bënë në mars 2024, ne kemi ardhur një hap më pranë me standardet e BE në këtë fushë. Ajo që është parë gjatë këtij dhjetëvjeçari, është se diferenca mes fondit limit dhe fondit të prokuruar ka qenë 7.3 %, sot është 15%. Pra, sot kursehet dyfish nga ç’kursehej 10 vjet më parë. Kjo tregon një rritje të efiçencës së procesit të prokurirmit. Dëshmon dyfishimin e operatorëve ekonomikë që marrin pjesë në tendera, ka sjellë diversifikim të të gjithë ofertës. Pra, kemi një panoramë shumë më pozitive dhe jo aq gri sesa shikohet shpeshherë. Patjetër që i gjithë cikli i prokurimit ka problematika që kanë nevojë për vëmendje të veçantë, por sfidat e prokurimit publik në Shqipëri nuk janë të ndryshme nga ato që kanë sot vendet e tjera të botës.

Ne kemi nisur një proces me Agjencinë e Prokurimit Publik dhe me Agjencinë Kombëtare Antikorrupsion në Itali për të identifikuar ato që quhen risqet e korrupsionit në ciklin e prokurimit publik, të cilat janë më prezente ose në fazën e hartimit të specifikimeve teknike, ose të hartimit të dokumentave të tenderit, ose, shpeshherë deri në fazën e zbatimit të kontratës. Procesi që ne duam ta garantojmë, edhe përmes elementit të ri që po pilotohet, atij të Inteligjencës Artificale në fushën e prokurimit publik, të minimizojë në maksimum mundësinë për ndërhyrje të panevojshme, ku shikohet që ato ndërhyrje të bëhen shkak për pabarazi. Natyrisht, roboti nuk mund të zëvendësojë elementin njerëzor plotësisht, por mund të reduktojë në një masë të konsiderueshme mundësinë për abuzim.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë