Kosova

Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, më 4 prill pritet të diskutohet formimi i komisionit mbikëqyrës

Kosova dhe Serbia javën e ardhshme do të zhvillojnë raundin e ri të dialogut në Bruksel, e para që prej dakordimit për marrëveshjen bazë dhe aneksin e zbatimit të saj muajin e kaluar.

Më 4 prill do të takohen shefat e ekipeve negociatore, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç nga pala serbe. Në takim pritet të diskutohet zbatimi i neneve të marrëveshjes bazë si dhe formimi i komisionit të përbashkët mbikëqyrës për implementimin e saj.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë se nenet e marrëveshjes bazë duhet të zbatohen pavarësisht prej njëra-tjetrës, por pa specifikuar asnjërin prej 11 neneve të marrëveshjes.

Në anën tjetër, partitë politike në Kosovë, komentojnë pritshmëritë e tyre për takimin e radhës të dialogut, ndërsa akuzojnë Serbinë për qasje dekonstruktive në dialog.

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, thekson se palët në dialog kanë shumë pak hapësirë për moszbatim të marrëveshjes.

Ai thotë se marrëveshja është e monitoruar nga BE-ja dhe ShBA-ja dhe se pasojat politike dhe ekonomike do të jenë shumë të mëdha për palët që nuk e zbatojnë marrëveshjen.

Pas marrëveshjes bazë të dakorduar më 27 shkurt në Bruksel, Kosova dhe Serbia u pajtuan edhe më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshje, megjithëse nuk pati nënshkrim të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë