Gazeta Si - Tre ditë pas vrasjes së 72-vjeçarit Faik Ajdini në fshatin Zhapokikë 2 në Memaliaj, policia ka mundur të zbardhë plotësisht ngjarjen kriminale, ku e përfshirë është edhe një grua.
Në një konferencë për mediat, Drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa bëri me dije këtë të enjte se është arrestuar autori kryesor i vrasjes, Blerti Kanushi, 23 vjeç.
Në pranga ka rënë edhe Darovi Ajdini, 64 vjeçe, gruaja e Skënder Ajdinit, 71 vjeç, i arrestuar së bashku me djalin, Bledar Ajdini, 43 vjeç, të dyshuar si bashkëpunëtorë në këtë krim.
Çipa tha se shkak për këtë vrasje me thikë, kanë qenë konfliktet për motive të dobëta mes viktimës Faik Ajdini dhe çiftit Skënder dhe Darovi Ajdini, të cilët kanë dhe të njëjtin mbiemër.
“Për shkak të konflikteve për motive të dobëta mes viktimës Faik Ajdini dhe bashkëshortëve Skënder dhe Darovi Ajdini, këta të fundit kanë nxitur shtetasin Blerti Kanushi 23 vjeç dhe i kanë siguruar kushtet dhe mjetet për të kryer vrasjen. Ky shtetas në bashkëpunim me Skënder Ajdinin më 19 gusht në 7 të mëngjesit kanë kryer vrasjen me thikë të Faik Ajdinit. Më pas Blerti Kanushi është larguar nga vendi i ngjarjes. Pas krimit, Skënder Ajdini dhe Darovi Ajdini kanë kryer veprime për pengimin e zbulimit e të vërtetës. Bledar Ajdini, djali i çiftit ka përkrahur autorin e krimit”, tha Çipa.
Policia deklaroi se këta të fundit kishin pajtuar dhe nxitur Blerti Kanushin, banues në këtë fshat, që të kryente krimin.
Pasi e kishte vrarë me thikë 72-vjeçarin, trupi i këtij të fundit u mor nga çifti i bashkëshortëve Skënder e Darovi Ajdini dhe u hodh në përrua.
Për të ndihmuar në fshehjen e krimit dhe përkrahu autorin kryesor, u përfshi edhe Bledar Ajdini, djali i çiftit, i cili gjithashtu u arrestua.
Pas kryerjes së krimit Skënder Hajdini dhe bashkëshortja e tij kanë tentuar të zhdukin provat e krimit, ndërsa djali i tij Bledar Hajdini në dijeni të plotë për ngjarjen ka përkrahur autorin e ngjarjes duke e ndihmuar të largohet nga vendngjarja për t'i shpëtuar policisë.
"Nga sqarimi i rrethanave të ngjarjes dhe mekanizmit të ndodhjes së saj, nga ana jonë është organizuar puna për lokalizimin e kapjen e shtetasit Blerti Kanushi dhe sekuestrimin e të gjitha provave që dokumentonin autorësinë e tij në këtë krim të rëndë. Në vijim të hetimeve, më datë 20.08.2024 në orën 23:30, janë arrestuar në flagrancë shtetasit:
-Skënder Ajdini, 71 vjeç për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
-Bledar Ajdini, 43 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Gjithashtu, në ndjekje të vazhdueshme dhe të pandërprerë të veprimeve operacionale dhe hetimore në terren, më datë 22.08.2024, ora 03:00, u arrestua në flagrancë shtetasi Blerti Kanushi, 23 vjeç për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe shtetasja Darovi Ajdini, 64 vjeçe, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Sipas burimeve, mësohet se 72-vjeçari u vra me thikë për shkak të një konflikti për një gardh ndarës me fqinjët e tij. Trupi i Faik Ajdinit 72 vjeç ishte hedhur në një përrua dhe u gjet nga kërkimet e familjarëve dhe policisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.