Ngjarje

Zbardhet vrasja e 14-vjeçares në Shkup / Babai porositi rrëmbimin e saj për t’i zhvatur para nënës

Vrasja e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska ka tronditur opinionin publik në Maqedoninë e Veriut dhe jo vetëm. Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski njoftoi se 5 persona janë përfshirë në këtë vrasje, 3 prej të cilëve janë arrestuar.

Ministri sqaroi se gjatë rrëmbimit të vajzës së mitur është përdorur makina e një të moshuari (edhe ai i vrarë në Velesh).

Viktimat nuk ishin të njohur me njëri-tjetrin.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski gjatë konferencës për shtyp për rastin e vrasjes së 14-vjeçares Vanja Gjorçevska. Shkup, 4 dhjetor 2023.

Ai theksoi se rrëmbimi i vajzës është bërë me qëllim t’i zhvasnin para nënës së saj. Një nga tre të arrestuarit e dyshuar është edhe babai i 14-vjeçares, i cili ka treguar edhe vendndodhjen e viktimës.

Trupi i pajetë i 14-vjeçares është gjetur të dielën në Shkup, ndërsa ai i 74-vjeçarit është gjetur në Veleshtë.

Vanja Gjorçevska, 14 vjeçe, ishte zhdukur më 27 nëntor, pas daljes nga shtëpia për të shkuar në shkollë.

“Edhe pse Maqedonia (opinioni publik) priti që t’i gjejmë të gjallë, ne dy viktimat i gjetëm të vdekur. Në emër të gjithë MPB-së i shpreh ngushëllime familjes dhe gjithë Maqedonisë. Pesë persona janë të përfshirë në këtë vrasje. Tre personave u është caktuar paraburgim, njëri është në arrati kurse babai i të miturës është ndaluar nga policia, si pjesëmarrës në këto ngjarje duke dhënë informacione për vendin e ndodhjes së vajzës. Tek vrasja e së miturës bëhet fjalë për kushtëzim që të merren para nga nëna e vajzës, dhe kjo është bërë në dijeni të një familjari.

Ngjarja e dytë, vrasja e 74-vjeçarit nuk lidhet me vrasjen e së miturës, por vetura e viktimës së parë është shfrytëzuar gjatë rrëmbimit të së miturës Vanja Gjorçevska. Kemi informacione se personi i dytë i vrarë, 74-vjeçari është vrarë vetëm pse ka pasur konflikt më herët me një nga të dyshuarit për krimin e kryer. Një prej personave, në marrëveshje dhe në dijeni, sipas konstatimeve fillestare të një familjari, ka organizuar ekzekutimin e krimit, me qëllim zhvatjen e parave nga nëna e të miturës, nga të cilat të gjithë personat e përfshirë do të përfitonin financiarisht”, tha Spasovski.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë