Ngjarje

Zbardhet vendi/ Nga Bulqiza në Korçë, trashësia e dëborës deri në 20 cm

Nga Gazeta ‘SI’ – Në juglindje të Shqipërisë, reshjet e dëborës janë rikthyer me intensitet, sidomos në zonat mbi 600 metra mbi nivelin e detit.

Trashësia e dëborës në këto lartësi ka arritur nga 5 deri në 10 centimetra.

Fshatrat turistike si Voskopoja, Dardha, Vithkuqi, dhe ato të zonave të Kolonjës, Pogradecit dhe Devollit janë mbuluar nga dëbora, duke sjellë një atmosferë magjike dimërore.

Megjithatë, reshjet e dëborës kanë sjellë disa sfida, kryesisht përsa i përket furnizimit me energji elektrike në disa fshatra të zonave malore, ku autoritetet po punojnë për të zgjidhur situatën.

Edhe veriu i vendit është prekur nga bora, ku në zonat malore të Bulqizës ka arritur deri në 20 cm.

Në rrugët urbane, autoritetet njoftojnë se nuk ka asnjë problem me qarkullimin.

Sa i përket rrugëve rurale, kryesisht në rrugët qe të çojnë për tek minierat e zonës ,Martanesh dhe Tërnovë, policia i ka bërë thirrje drejtueseve të automjeteve që transportojnë minatorët të përdorin zinxhir në ato segmente ku janë të domosdoshme përdorimi i tyre.

Ndërkohë, një borë më e lehtë ka prekur dhe malin e Dajtit në kryeqytet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë