Politike

Zbardhet projekt-vendimi i PS/ Komision i posaçëm i fryrë me deputetë, ekspertë dhe ministra, në sitë edhe sistemi i drejtësisë     

Gazment Bardhi tha të mërkurën në mesditë se nuk ishte i pranishëm në takimin e thirrur nga Lindita Nikolla për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për luftën ndaj korrupsionit me argumentin se paralelisht do të mblidhte deputetët në selinë e PD.

Po gjatë këtij prononcimi ai tha se gjithçka ishte hartuar nga PS-ja dhe se opozita nuk ishte në dijeni as të vetë objektit të komisionit.

Një orë më pas zyra e Kuvendit shpërndau për mediat projektvendimin që pritet të kalojë të enjten në seancë plenare.

“Komisioni i Posaçëm ka për qëllim kryesor të tij të drejtojë e koordinojë një proces të thelluar reformimi, me synim: 1) përmirësimin dhe konsolidimin e praktikave të mirëqeverisjes në të gjitha nivelet, 2) thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe 3) forcimin e mëtejshëm të zbatimit të ligjit, duke patur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit Screening të Komisionit Evropian për grupkapitullin e parë, si dhe adresimin e masave të udhërrëfyesve të miratuar nga qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike”, thuhet në projektvendim.

Komisioni i Posaçëm ka për objekt të veprimtarisë së tij që përmes një procesi publik, gjithëpërfshirës e transparent, mbështetur në mekanizmat, rregullat dhe procedurat përkatëse parlamentare dhe me angazhimin e kontributin aktiv të ekspertizës më të mirë vendase dhe ndërkombëtare të realizojë:

i) Një vlerësim / analizë të situatës aktuale në të tre fushat, duke u mbështetur kryesisht në gjetjet dhe rekomandimet e shprehura në raportet e Bashkimit Evropian, përmes një angazhimi gjithëpërfshirës me institucionet e qeverisjes qendrore dhe vendore, agjencitë ekzekutive e ato publike të pavarura, institucionet e sistemit të drejtësisë, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, subjekte të tjera të interesuara, organizatat e shoqërisë civile dhe vetë opinionin publik;

ii) Hartimin dhe miratimin e një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë dhe të qëndrueshme për adresimin e sfidave përkatëse në këto fusha, duke rekomanduar edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale, të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse;

Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 11 anëtarë, nga të cilët 6 janë përfaqësues të shumicës parlamentare dhe 5 përfaqësues të pakicës parlamentare.

Emrat e anëtarëve të tij do të përcaktohen me vendim të Kuvendit.

Komisioni i Posaçëm do të zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 10 mujor.

Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të komisionit, Kuvendi mund të vendosë zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së komisionit.

Komisioni i Posaçëm Parlamentar do të ndërmarrë të gjitha përpjekjet për të miratuar dokumentet përfundimtare nga një shumicë e konsiderueshme e deputetëve, duke e konsideruar kritike që ushtrimi të gëzojë mbështetje të gjerë

Pranë Komisionit të Posaçëm, për të realizuar një proces sa më gjithëpërfshirës e transparent, do të ngrihet dhe funksionojë grupi i punës i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë me përfaqësues të propozuar nga institucionet e drejtësisë, institucionet e pavarura dhe agjensitë ekzekutive ligjzbatuese, administrata publike, bota akademike, universitetet publike dhe jopublike, institute e organizata të shoqërisë civile dhe medias, si edhe organizata të sipërmarrjes, etj.

Grupi i ekspertëve do të organizohet në 3 nëngrupe që do të angazhohen për 3 fushat e objektit të veprimtarisë së këtij komisioni. Ekspertët do të angazhohen në funksion të temave përkatëse, që lidhen me fushat e tyre të veprimtarisë në procesin e kryerjes së analizës dhe hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit si dhe propozimin e masave përkatëse legjislative e institucionale.

Numri dhe përbërja e grupit të ekspertëve miratohet me vendim të komisionit.

Komisioni mund të ftojë për konsultime për çështje specifike edhe agjenci dhe ekspertë të tjerë vendas e ndërkombëtarë të mirënjohur në fushat përkatëse.

Në cilësinë e ekspertëve ndërkombëtare, komisioni mund të ftojë të marrin pjesë edhe përfaqësues të Këshillit të Evropës, Prezencës së OSBE-së, USAID, SIDA, vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, Mbretërisë së Bashkuar, agjencive të ndryshme të specializuara në fushat përkatëse, si GRECO, OGP etj., si edhe lektorë me karriera të spikatura në vendet partnere të Shqipërisë për fushat e objektit të punës së tij.

Pranë Komisionit të Posaçëm, ngrihet dhe funksionon një sekretariat teknik i përhershëm gjatë gjithë mandatit të komisionit, i përbërë nga këshilltarë/specialistë të Shërbimit Juridik të Kuvendit, administratës publike, juristë të institucioneve të pavarura dhe agjencive ligjzbatuese si edhe juristë të tjerë me përvojë që do të ftohen të kontribuojnë përkohësisht si pjesë e kësaj strukture gjatë mandatit të këtij komisioni. Sekretariati teknik do të shërbejë për të mbështetur Komisionin e Posaçëm dhe grupet e ekspertëve në kryerjen e detyrave të tyre.

Komisioni i Posaçëm, për realizimin e objektit të tij të përcaktuar si më sipër, në bashkëpunim edhe me grupin e ekspertëve, do të organizojë:

 Seanca dëgjimore me qëllim konsultimi, tryeza pune dhe diskutime publike lidhur me temat objekt pune të këtij komisioni me: i) Institucionet e qeverisjes qendrore dhe vendore sipas fushave përkatëse të përgjegjësisë; ii) Institucionet e sistemit të drejtësisë; iii) Institucionet publike të pavarura të krijuara nga Kuvendi; iv) Agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, që kanë objekt të veprimtarisë së tyre luftën ndaj korrupsionit, administrimin e pasurisë publike, krimin ekonomik, parandalimin e pastrimit të parave, auditimin dhe inspektimin financiar, kontrollin e brendshëm, informalitetin apo mbikqyrjen e tregut, rregjistrimin e administrimin e pronës etj.; v) Ekspertë të mirënjohur të fushave përkatëse; v) Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit; vi) Pedagogë e studentë; viii) Përfaqësues të organizatave të specializuara brenda e jashtë vendit, etj.;

Këshilli i Ministrave mund të përfaqësohet në veprimtaritë e Komisionit me pjesëmarrjen e ministrit të shtetit dhe (1) Kryenegociator, për (2) Marrëdhëniet me Parlamentin, për (3) Antikorrupsionin dhe Administratën Publike dhe për (4) Pushtetin Vendor, të cilët do të mund të japin opinionet e tyre për çështje të caktuara, si edhe të kontribuojnë përmes ekspertëve të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë