Gazeta Si - Pas 5 vjetësh, Policia e Tiranës ka zbardhur një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në 16 maj 2017, ku u gjet një kufomë e paidentifikuar, pjesërisht e djegur dhe e dekompozuar.
Sipas policisë, viktima ka qenë Menduh Shaban Kurtdeda dhe vrasësit e kanë ekzekutuar në Kodër Shupal në zonën e Dajtit për shkak të një borxhi të pashlyer.
Në një deklaratë për mediat, drejtori i Policisë së Tiranës Lorenc Panganika, bëri me dije se deri më tani janë identifikuar autorët dhe në pranga kanë rënë dy prej tyre.
Viktima dhe autorët
Pesë vite më pas, policia thotë se ka arrestuar autorët një burrë, një grua, ndërsa djali i gruas, i cili dyshohet i përfshirë në krim, është shpallur në kërkim.
Sipas policisë, Gazmir Ngota, 39 vjeç, Marjeta Karaj, 56 vjeçe dhe Besmir Karaj, 34 vjeç (djali i Marjetës), janë autorët e ekzekutimit të Menduh Kurt–Deda në vitin 2017.
Të tre, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë djegur për së gjalli 61-vjecarin pasi e futën me forcë në automjet dhe e çuan në Kodër-Shupal. Dy prej tyre janë vënë në pranga, ndërsa Besmir Karaj, i cili ndodhet jashtë shtetit është shpallur në kërkim.
I djegur për borxhin e pashlyer
Të tre këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë kontaktuar në zonën e Xhamllikut në kryeqytet, shtetasin Menduh Kurt–Deda, i cili fshihej prej kohësh, si pasojë e një borxhi të pashlyer, e kanë marrë me forcë atë, në automjet dhe kanë shkuar në zonën e Alliasit, ku kanë ushtruar dhunë ndaj tij.
Më pas, shtetasit Besmir Karaj dhe Gazmir Ngota e kanë transportuar viktimën në një zonë pyjore, në vendin e quajtur “Kodër Shupal”, ku pasi e kanë dhunuar dhe lidhur, e kanë djegur.
Një veprim që është bërë për të fshehur gjurmët e krimit, i cili është zbuluar pas 5 vitesh si rezultat i indicieve të marra falë inteligjencës informative.
Kush është Marjeta Karaj
Marjeta Karaj, rezulton të jetë Drejtoreshë Ekzekutive e një organizate jo fitim prurëse për Ndihmë dhe Kujdes për Fëmijët Jetim të ushtarakëve brenda dhe jashtë vendit.
Gjatë marjes në pyetje, Marjeta Karaj, ka pranuar autorësinë e krimit së bashku me personin tjetër, që është djali i shokut të saj.
Ngjarja e mbetur pa autor ka qenë një dosje e mbyllur për shumë kohë në organet e drejtësisë ndërsa policia tha se pas gjetjes së provave shkencore, ka kërkuar rihapjen e saj.
Policia shton se Menduh Shaban Kurt-Deda ka lindur më 03.09.1956, në fshatin Sohodoll, Dibër dhe në kohën e ngjarjes, banues në Lukovë, Sarandë. Dy të arrestuarit dhe i shpalluri në kërkim akuzohen për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.