Një ditë më parë një sherr mes disa personave përfundoi me plagosjen e ndërtuesit Sino Llanaj.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Ndre Mjeda”, në afërsi të ish-parkut të autobusëve.
Lidhur me këtë ngjarje, ku mbeti i plagosur ndërtuesi Sino Llanaj, policia njofton se ka arrestuar 5 persona.
Policia thotë se në pranga ka rënë Albert Allmuça, për veprën penale “Moskallëzim i krimit” dhe i plagosuri Sino Llanaj, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Ndërkohë në pranga janë vënë dhe: Shkëlzen Byberi, 41 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Moskallëzimi i krimit”; Skënder Margjeka, 52 vjeç, dhe Alfred Lumani, 48 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit. Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi K. K., për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Policia në njoftimin e saj zyrtar thotë se Llanaj së bashku me persona të tjerë, ka shkuar në kompleksin në rrugën “Ndre Mjeda”, ku janë konfliktuar fizikisht me rojet e sigurisë duke përdorur sende të forta dhe armë zjarri.
“Policia ka bërë të mundur identifikimin e njërit prej shtetasve (për arsye hetimore nuk bëhen të ditura gjeneralitetet e tij), i cili ka qëlluar me armë zjarri. Po punohet për kapjen e tij“, theksohet më tej në deklaratë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



