Bota

Zbardhen prapaskenat, si e dëboi Trump presidentin Zelenski nga Shtëpia e Bardhë

Gazeta Si – Mediat amerikane kanë publikuar detaje të reja nga takimi me tone të larta dhe i pazakontë mes dy presidentëve amerikanë dhe ukrainas, që u mbajt këtë të premte në Shtëpinë e Bardhë mes Donald Trump dhe Volodymyr Zelenskit.

Pak më herët u raportua se si pasojë e përplasjeve mes palëve, Zelenski është larguar nga Shtëpia e Bardhë me nxitim, por mediat e huaja shkruajnë se ka qënë presidenti Trump ai i cili i ka kërkuar palës ukrainase të largohet menjëherë. 

CNN shkruan se pas tensioneve mes palëve, Trump u mblodh me këshilltarët e tij kryesorë brenda Zyrës Ovale dhe pasi u konsultua me Zëvendës-Presidentin J.D. Vance, Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, Sekretarin e Thesarit, Scott Bessent dhe këshilltarët e tij të tjerë kryesorë, Trump vendosi që Zelenski, “nuk ishte në vendin e duhur për të negociuar”.

Thuhet se Trump ka udhëzuar Rubion dhe këshilltarin e tij për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, të jepnin mesazhin se ishte koha që Zelenski të largohej.

Bëhet me dije se ukrainasit ndodheshin në një dhomë të veçantë, teksa Trump konsultohej me këshilltarët e tij dhe u është kërkuar që të largohen menjëherë.

Zyrtari i Shtëpisë së Bardhë tha se ukrainasit protestuan dhe donin të vazhdonin bisedimet, por Trump nuk i ka lejuar. Pas kësaj presidenti Zelenski është larguar menjëherë nga Shtëpia e Bardhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë