Taksa

Minatorët ndezin fitilin – A favorizon Samir Manen, ulja e rentës minerare

Sabina Veizaj-Janë të paktën 1200 punonjës minierash dhe qindra të tjerë që plotësojnë zinxhirin e punonjësve në industrinë e prodhimit të kromit në Shqipëri, të cilëve qeveria u ka përgatitur një “shaka” shumë të hidhur.

Duke filluar nga 1 janari 2019 renta minerare do të jetë 9% nga 6% që është aktualisht.

Kjo është e shkruar e zezë mbi të bardhë në relacionin që shoqëron paketën fiskale në zërin e taksave kombëtare. Arsyeja që jep propozuesja e këtij projektligji, Ministria e Financave është se kromi në Shqipëri do të mbarojë për 8 vite. Sipas saj hapi i eksportit është mjaft i madh: 500 mijë tonë në vit. Ndërsa 135 mijë tonë të tjera shkojnë për përpunim brenda vendit, në një kohë që rezervat e kromit në Shqipëri vlerësohen në 5.5 milionë tonë. Dhe me ritme të tilla, pretendohet se kromi do të mbaronte për 8 vite, ndërkohë që industria e ferrokromit në vendin tonë do të duhej të mbyllej pas 10 viteve.

Kjo është çfarë thotë Qeveria sepse ekspertët dhe grupet e interesit mendojnë se askush nuk e di me saktësi se sa rezerva kromi ka aktualisht në vend. Nëse qëndrojmë tek ajo çfarë thotë qeveria, eksperti Gjergj Bojaxhi shprehet me sarkazëm se “nëse qeveria ka frikë se mbaron kromi, le ta lërë ku është për raste emergjente”

Pajtim Bello, ish Zv/Ministri i Energjetikës në kohën e qeverisjes socialiste, përpara vitit 2005,  e sheh këtë hap të qeverisë si non-sens duke thënë se renta minerare nuk ka lidhje as me eksportet dhe as me mbarimin e kromit.  Sipas tij, arsyetimi duhet të jetë dikasterial dhe të vijë nga Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës. Kjo ministri nuk u është përgjigjur ende pyetjeve të Gazetës “Si” në lidhje me çështjen.

Po çfarë fshihet realisht pas kësaj?

Foto ilustruese

Problemi i prodhuesve nis që me llogaritjen e rentës minerare që sipas tyre është e gabuar.

Pranë Ministrisë së Financave ekziston një komision ad-hock i cili përcakton çmimin e referencës. Grupet e interesit thonë se ata nuk përfaqësohen në këtë komision (tregtarë dhe prodhues).

Për prodhuesit çmimi i referencës vendoset apriori dhe prodhuesit nuk mund të negociojnë me eksportuesit , pasi renta minerare që aktualisht është 6%, llogaritet mbi çmimin e referencës.

Prodhuesi Shkëlqim Cevani i tha gazetës “Si” se aktualisht çmimi i kromit për ton në eksport është 200 dollarë dhe çmimi i referencës është 330 dollarë e prej një viti komisioni ad-hock nuk është mbledhur.

“Nëse për shembull, unë eksportoj 1 ton të barabartë me 200 dollarë, kam kosto që ta shpie kromin nga gryka e galerisë deri në bordin e anijes përmes ekipit 70 dollarë. Dhe unë paguaj rentë edhe për kostot shtesë. Ne nuk ka intereson klima e armiqësisë, por duhen parë çmimet e referencës, çmimi i referencës sot është 110 dollarë mbi çmimin aktual. Këtë rentë e paguajmë në ngarkim; paguajmë rentë edhe për transportin dhe shpenzimet portuale. Edhe për lagështirën që mbart kromi 1-10 %, ndërkohë që unë shes krom, jo lagështirë. Pra, nuk më zbriten nga çmimi kostot shtesë”, shpjegon Shkëlqimi. Ai thotë se me rritjen e masës së rentës minerare nuk do të ketë mundësi për të kryer punime avancuese dhe si rrjedhojë pret të shkurtojë punëtorë. Shkëlqimi ka 250 punëtorë dhe mendon se do të shkurtojë deri në 30% duke nisur nga janari nëse qeveria nuk e rishikon vendimin e saj.

18 prodhues të kromit në vend do të mblidhen ditën e shtunë për të krijuar një shoqatë (deri tani nuk ekziston një e tillë ) për t’i prezantuar qeverisë shqetësimet e tyre. Sipas Shkëlqimit 18 prodhuesit që përfaqësojnë subjekte të mëvetësishme kanë një xhiro vjetore secili 2-3 mln dollarë dhe qindra të punësuar, të cilët do të “minohen” nga 1 janari 2019, pasi të hyjë në fuqi paketa e re fiskale.

“Nëse tregu do të përmirësohet, efektet nuk do të na çojnë në kolaps. Për rastin konkret na vështirëson punën. Me këtë çmim që është do ta vazhdojmë, por nëse do ketë një rënie çmimi, sikur edhe 10-20 dollarë më poshtë, çon automatikisht në mbyllje të galerisë; kolaps të sektorit dhe një kosto sociale të paimagjinueshme”, shpjegon Shkëlqimi.

Por për prodhuesit që eksportojnë (sepse ata që shesin brenda vendit e kanë rentën 50 % më pak) rrritja e masës së rentës minerare nuk ishte e papritur. Sipas tyre, kjo bëhet me qëllim për të favorizuar biznese pranë qeverisë në këtë sektor.

Aktualisht në Shqipëri  ka rreth 100 subjekte prodhues të kromit; të vegjël, të mesëm e të mëdhenj. Kurse prodhues të ferrokromit që shërben për eksport janë dy kompani, “AlbKrom” e Samir Manes dhe kompania “GSA”. Sipas burimeve të këtij sektori, “AlbKrom” mbulon 4/5 e tregut.

Samir Mane ka hyrë në industrinë e kromit përmes koncesionit në vitin 2013-të kur u largua investitori i huaj dhe “GSA” do kohë më vonë. Aktualisht për prodhimin e ferrokromit janë 4 furra, dy në Elbasan dhe 2 në Burrel, të cilat priten të shtohen vitin që vjen nga të dy subjektet.

Sipas ekspertëve, ferrokromi shqiptar është shumë i kërkuar jashtë vendit sepse është i një cilësie të veçantë dhe shërben për prodhimin e çelikut special, të cilin ne nuk e prodhojmë. (65-70 % krom, 15 % hekur dhe minerale të tjera)

Sipas të dhënave nga prodhuesit, një furrë prodhon 3500 ton mineral në muaj dhe të katërta furrat që i përkasin dy subjekteve të ndryshme, prodhojnë 14 mijë ton në muaj.

Të dhënat zyrtare nga doganat tregojnë se në vitin 2010 janë eksportuar rreth 19, 6 mln ton  496 ton ferrokrom me vlerë rreth 2,9 mld lekë. Kurse në 9 muajt e parë të 2018-ës janë eksportuar rreth 65 mln ton me vlerë rreth 12 mld  lekë.

Por sipas disa prodhuesve, rritja e rentës bëhet që prodhuesit të mos guxojnë të prodhojnë për eksport për shkak të kostove të papërballueshme dhe të punojnë për Samir Manen, i cili mendohet të jetë eksportues më i madh i ferrokromit në Shqipëri.

Prodhuesit thonë se do të këmbëngulin që qeveria të kthejë vendimin sepse përndryshe gjithë minatorët metaforikisht dhe literalisht do të jenë përpara ministrisë sëbashku me mjetet e tyre të punës: minat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë