Ngjarje

“Zakonet kanunore dhe ‘prerja në besë’ e babait nga vajza, shkak për tragjedi si ajo e Klosit”

Aktivistja Eni Mjeshtri: Babai vret dhe vetëvritet se kurrë ndonjëherë as nuk ia kanë mësuar dhe as nuk ia ka lejuar vetes të pranojë lirinë e vajzës, të gruas. Këtë burrë e vret turpi. Ai vdes i pari, pastaj vret të tjerët. Është një krim nga mendësitë e prapambetura kundrejt zakoneve të lira të botës së re

Nga Ina Ahmetaj – Zakonet kanunore ende të gjalla në komunitete të vogla, por edhe “prerja në besë” që vajza i ka bërë babait, bëhen shkak për moszgjidhjen e konflikteve që shpesh gjenerojnë tragjedi, si ngjarja e pak ditëve më parë në Klos. Doket e pashkruara e kanë shtrënguar babain vrasës të detyrojë të rinjtë që i kanë turpëruar shtëpinë, emrin, fisin, të martohen me të bijën, por në fund ai ka vrarë nga zhgënjimi dhe mospranimi i bijës ashtu siç djemtë ia përshkruajnë.

Të paktën kështu mendon Eni Mjeshtri, aktiviste e shoqërisë civile, e lindur dhe e rritur në Klos, por e martuar në Tiranë, nënë e dy vajzave. Ajo tregon për Gazetën “Si” se, në rastin e zonave të thella, të komuniteteve të mbyllura dhe të udhëhequra ende nga parimet e nderit dhe të fisit, ky mentalitet bëhet vrasës.

Eni Mjeshtri

Mjeshtri thotë se autori që kreu vrasjen e dyfishtë në Klos, veproi në kushtet e një tronditjeje të thellë jo vetëm shpirtërore por së pari të një shoku në cenimin pikërisht të kësaj vlere.

“Ky baba viktimë e këtij mentaliteti gjendet i prerë në besë nga e bija, liria e saj. Ai është mësuar të jetojë si një burrë e baba zakonesh dhe për të mbrojtur nderin e vajzës ai duhet të gëlltisë dhe faktin që vajza e tij ka zgjedhur të jetojë jetën si një adoleshente, me gjithë rrëmujën dhe sfidat emocionale që kjo periudhë mbart. Bija e tij ka bërë të pabërën, është bërë një qenie seksuale pa lejen atërore dhe përkundër ligjit të pashkruar të mentalitetit që ndalon një vajzë të bëhet “grua” kur ende është në derë të babës”, thotë Eni Mjeshtri, e cila rastësisht ka të njëjtin mbiemër me familjen e vajzës prej së cilës zuri fill tragjedia në Klos.

Sipas Mjeshtrit, doket kanunore të atij ligjit të pashkruar por të gjallë, kanë detyruar babain vrasës të detyrojë të rinjtë që i kanë turpëruar shtëpinë, emrin, fisin, të martohen me të bijën, por në fund ai vret nga zhgënjimi, nga lemerisja dhe mospranimi i bijës ashtu si djemtë ia përshkruajnë.

LEXO EDHE:
– Tragjedia në Klos/ Dëshmia rrëqethëse e vajzës: Më vodhën adresat dhe më shantazhuan në ditën e lindjes. Autori la amanet fëmijët para vetëvrasjes
– Masakra në Klos, kushërinjtë shantazhonin dhe i kërkonin vajzës së autorit “foto nudo”. Çfarë ndodhi gjatë sqarimit në lokal
– Masakër në Klos për një lidhje dashurie/ Vritet djali 17-vjeçar dhe babai i tij, vetëvritet autori. Dy të plagosur e dy të arrestuar

“Ai vret dhe vetëvritet se kurrë ndonjëherë as nuk ia kanë mësuar dhe as nuk ia ka lejuar vetes të pranojë lirinë e vajzës, të gruas. Këtë burrë e vret turpi. Ai vdes i pari, pastaj vret të tjerët. Është një krim nga mendësitë e prapambetura kundrejt zakoneve të lira të botës së re”, thotë Mjeshtri.

Sipas saj, të tjerë faktorë që rëndojnë situatën në zonat e thella rurale është edukimi i ulët, shoqëria e mbyllur, varfëria.

Edhe në rastin e Klosit, Mjeshtri thotë se të gjitha këta faktorë, nuk i lanë autorit vrasës kohë t’i jepte vajzës së tij, vetes së tij zgjidhjen e duhur.

“Në këtë kasahpanë mes të vjetrës dhe të resë, këto ishin viktimat e radhës. Të tjerë, të panjohur për momentin, presin në rresht”, thotë Eni Mjeshtri që njeh shumë mirë mentalitetin e zonës së veriut.

Për ngjarjen e rëndë ka reaguar në rrjetet sociale dhe dom Gjergj Meta, ipeshkv në Dioqezën Rrëshen, i cili ndër të tjera kërkon dhe reflektim komunitar kapilar që kjo tragjedi të mos harrohet shpejt si ngjarjet e tjera që kanë ndodhur në këto zona.

“Në këto zona konstatohet një mendësi e pazhvilluar rreth zgjidhjes së konflikteve. Ndaj nevojitet vigjilencë e organeve të rendit për të ndërhyrë apo parandaluar konflikte që përfundojnë më pas në tragjedi pasi një pjesë e mirë e konflikteve, që më pas degjenerojnë në dhunë apo në vrasje, mund të jenë lehtësisht të zgjidhshëm nëpërmjet atyre njerëzve që kanë për detyrë të ruajnë rendin”, thotë dom Gjergj Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë