Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka deklaruar se tani që vendi i tij është anëtar i NATO-s, nuk ka “frikë” nga letrat jo zyrtare që propozojnë krijimin e Shqipërisë së Madhe.
Ai është shprehur se është i shqetësuar nga draftet e ndryshëm që po qarkullojnë në Bruksel për zgjidhjen e problemit të Kosovës, duke thënë se në rajon nuk janë shëruar ende të gjitha plagët. “Kur BE-ja frenon me të gjithë ne, meqë procesi integrues po ngadalëson, nuk mendoj vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnjën dhe Shqipërinë. Po paraqiten disa dokumente jo zyrtare, ide të tjera radikale” deklaroi kryeministri Zaev, duke komentuar idetë për ndryshimin e kufijve në Ballkan.
I pyetur nga gazeta austriake “Kurir” nëse është i shqetësuar për idenë “Shqipërisë së Madhe” të propozuar në këto dokumente, në të cilat përfshihet një pjesë e Maqedonisë së Veriut, Zaev u përgjigj duke thënë se: “Kur flasim për ndryshimin e kufijve, asnjëherë nuk mund të them ‘jo’ me siguri, por kjo do të ishte e vështirë në Maqedoninë e Veriut sepse jemi anëtare e NATO-s dhe me çdo kërcënim për territorin dhe integritetin tonë, do të aktivizohej neni 5 nga Marrëveshja me NATO-n dhe dikush do të na mbronte. Megjithatë, nuk mund të them përfundimisht ‘jo’ sepse përfundimisht nuk e dini deri kur dikush mund të provokojë. Zgjidhja e vetme është që secili vend të hyjë në BE. Kur të hymë në Shengen, atëherë nuk do të ketë kufij”, theksoi kryeministri.
“Kur rajoni është i qëndrueshëm dhe i sigurt, atëherë edhe Maqedonia e Veriut është e sigurt dhe e qëndrueshme. Ndërsa kur rajoni është i paqëndrueshëm dhe ka probleme, atëherë edhe ne jemi të paqëndrueshëm dhe kemi probleme. Për ne, gjithçka që është e pranueshme për Beogradin dhe Prishtinën është e mirë, zgjidhje e cila do të garantojë paqen në Ballkan, integrim evropian, siguri dhe të ardhme të të gjithë komuniteteve etnike”, theksoi ai.
Zaev po ashtu falënderoi presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministren Ana Brnabiç për dhurimin e 48.240 vaksinave, të cilat sipas tij janë marrë “kur askush nuk i kishte. Ai e konsideroi një akt miqësie dhe vëllazërie, që populli maqedonas asnjëherë nuk do ta harrojë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



