Analize

Zaev i shqetësuar për bashkimin Kosovë-Shqipëri: Nuk është ide e mirë për rajonin…

Rritja e retorikës për bashkimin kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës, me kryeministrin e ardhshëm Albin Kurti që premton bashkëpunim më të ngushtë se kurrë me Tiranën zyrtare, duket se ka shqetësuar jo vetëm Serbinë, por edhe Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri Zoran Zaev ka reaguar për herë të parë sot për deklaratat e zyrtarëve në Prishtinë për bashkimin kombëtar, përfshirë edhe ato të kreut të Vetëvendosjes, duke thënë se një bashkim mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk do të ishte ide e mirë për Ballkanin Perëndimor.

Duke folur për një emision televiziv, Zaev ka thënë se një bashkim kombëtar i shqiptarëve nuk është e ardhmja që e duan popujt në rajon sepse e ardhmja e tyre është në Bashkimin Europian.  Sipas tij, këto ideologji po hidhen nga politikane pa ta ardhme. “Një Evropë pa kufij në të cilën njerëzit bashkëpunojnë dhe komunikojnë dhe jam i bindur se këto ide janë nga individët që janë pakicë dhe nuk kanë të ardhme”, ka thënë ai.

Kryeministri i vendit fqinjk thotë se nuk ka nevojë për bashkim kombëtar pasi nëse ka bashkëpunim më të madh rajonal, Europa do t’i respektojë më shumë shtetet e Ballkanit.

Duke folur për ato që i cilësoi si probleme të moçme në Ballkan, Zaev ka thënë se Serbia e Kosova kanë sfidat e tyre, por ato mund të zgjidhen përmes dialogut e miqësisë dhe jo bashkimit me Shqipërinë.

Zaev ka deklaruar se Shkupi po krijon marrëdhënie të mira me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç duke u munduar të promovojë të gjitha rrugët e bashkëpunimit mes maqedonasve, shqiptarëve e serbëve. Në këtë pikë ka shtuar se pret që edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, t’u bashkohet liderëve në bisedimet “për të mirën e gjithëve”, pasi të marrë udhëheqjen e shtetit të Kosovës pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Sipas tij, liderët duhet të përqendrohen tek iniciativa e “Mini-Schengenit” e cila do të sillte të mira për të gjitha palët dhe do të afronte të gjithë rajonin drejt BE-së.

Diskutimet për bashkimin kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë u nxitën nga fushata zgjedhorë në Kosovë, sidomos nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka premtuar një referendum për bashkimin kombëtar nëse zgjidhet president. Ai premton se do të angazhohet për shpalljen e referendumit për bashkimin me Shqipërinë, nëse Kosova nuk pranohet në BE dhe organizata ndërkombëtare dhe nëse Beogradi nuk pranon pavarësinë e Kosovës.

Pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje, lideri i saj Albin Kurti u shpreh se nëse do të mbahej një referendum i tillë do të votonte pro-bashkimit. Kjo deklaratë e Kurti ka sjellë edhe reagimin e ashpër të Rusisë, e cila i ka kërkuar Perëndimit të ndalojë këto iniciativa që sipas saj janë të ngulitura thellë në ideologjinë shqiptare.

“Ne jemi të shqetësuar për retorikën gjithnjë e më radikale të përdorur nga shqiptarët e Kosovës pasi Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, thotë ministria e jashtme ruse në një deklaratë. Ne nuk shohim ndonjë reagim të shteteve perëndimore te shqiptarët e Kosovës ndaj këtyre provokime” tha zëdhënësja Maria Zakharova. Rusia ka reaguar kundër Ramush Haradinajt në lidhje me kërkesat e tij për të bashkuar Kosovën me Shqipërinë. Në një deklaratë, Moska ka thënë se këto ideologji kërcënojnë integritetin territorial të shteteve të Ballkanit.

Por analisti Jusuf Thaçi thotë se pavarësisht deklaratave të Kurtit, e cila ka ngjallur entuziazëm në të dyja anët e kufirit, nuk e sheh si prioritet të kryeministrit të ardhshëm bashkimin me Shqipërinë, të paktën jo në mandatin e tij të parë në krye të qeverisë.

 “Si kryeministër i ardhshëm, Kurti i takon që të punojë për ta jetësuar këtë projekt ose ide dhe jo vetëm të jetë votues pasiv i një referendumi”, shprehet ai. “Nuk besoj se në mandatin e parë do jetë një prej prioriteteve, sepse Kosova ballafaqohet me një sërë problematikash në rrafshin e brendshëm, pastaj dialogu me Serbinë, dhe vetëm kur të konsolidohen këto çështje dhe pasi të sigurohet sovraniteti i plotë i Kosovës, atëherë besoj se duhet të vinte diskutimi i bashkimit kombëtar dhe modalitetet e këtij bashkimi, në koordinimin me Shqipërinë dhe partnerëve dhe me anë të metodave demokratike”, tha ai. 

Ai thekson se Shqipëria dhe Kosova fillimisht duhet të shtojnë bashkëpunimet në sektorët kyç të zhvillimit socio-ekonomik.

“Jo vetëm pjesa e doganave, por deri në një bashkëpunim formal apo eventual, qoftë në një shtet unitar apo bashkim shtetesh, ajo që Kosova dhe Shqipëria është dashur të bëjnë ka qenë bashkëpunim intensiv jo vetëm për doganat dhe me kufijtë, por në përgjithësi në fushën e ekonomisë duke hequr të gjitha barrierat, që e pengojnë bërjen e biznesit. Qeveritë tona, përkatësisht qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë duhet të zhvillojnë një bashkëpunim sa më të mirë në fusha të ndryshme, në mënyrë që të ketë një integrim sa më të madh mes dy vendeve, dhe pastaj kjo do ishte parapërgatitje për një finale të bashkimit formal”, shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë