Kombetarja

Zabaleta: Shqipëria eksperiencë e shkëlqyer, mund të ketë fytyra të reja me Moldavinë

Gazeta Si – Pas trajneri Silvinjo ishte radha e ndihmësit të tij, Pablo Zabaleta, të fliste për eksperiencën kuqezi. Ish-futbollisti i Mançester Sitit është shprehur për faqen zyrtare të FSHF-së i impresionuar nga ambient që ka gjetur në Tiranë.

“Erdhëm me Silvinjon për herë të parë këtu në janar. Ka qenë një eksperiencë e bukur të them të drejtën, në çdo drejtim. Moti, ushqimi i mirë, njerëzit na kanë dhuruar një kohë të shkëlqyer në Shqipëri. Shpresojmë të vazhdojmë ta shijojmë këtë eksperiencë.

Kalojmë orë të tëra në zyrë, duke parë videot e lojtarëve, sepse duam t’i njohim edhe më mirë. Para se të vinim, njihnim disa prej tyre, por duhet të përgatisnim një listë të madhe me emrat e 40 apo 50 lojtarëve. Jo vetëm me ato që luajnë jashtë, por edhe të kampionatit shqiptar”, – ka theksuar Zabaleta.

Për ndeshjen me Poloninë dhe ato që Kombëtarja do të luajë në qershor me Moldavinë dhe Ishujt Faroe, argjentinasi ka shtuar: “Për Poloninë përzgjodhëm 23 lojtarët që menduam se ishin të duhurit për atë ndeshje. Punuam të paktën 10 ditë me lojtarët dhe ishte e mrekullueshme. Për fat të keq, nuk morëm pikë ndaj Polonisë, por mendoj se paraqitja jonë ishte shumë e mirë.

Tani presim të ritakohemi me lojtarët, mbase mund të ketë edhe fytyra të reja. E rëndësishme është të ndërtojmë diçka të mirë për lojtarët, për stafin teknik, për kombëtaren dhe për shqiptarët. Mesazhi im për tifozët shqiptarë? Uroj që ata të shijojnë një ndeshje të bukur, kemi shumë nevojë për ta, duhet të krijojmë një atmosferë në stadium.

Kam parë derbin e kryeqytetit dhe disa ndeshje të tjera në Shqipëri, dhe kam kuptuar që tifozët në Shqipëri janë të ngjashëm me ata të Amerikës Latine, shumë të apasionuar pas futbollit. Nëse krijojmë një atmosferë të bukur për ndeshjen me Moldavinë në shtëpi, do të ishte fantastike për lojtarët tanë dhe sigurisht duhet të bëjmë një paraqitje të mirë për të marrë tre pikët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë