Teknologji dhe Inovacion

Youtube heq opsionin e “dislike” për të mbrojtur krijuesit e vegjël

YouTube po fsheh numrin e “mospëlqimeve” në video në një lëvizje për të parandaluar “sulmet” ndaj krijuesve më të vegjël, shëndeti mendor i të cilëve ndikohet nga “ngacmimi”.

Zëdhënës të Youtube shpjeguan se krijuesit do të jenë ende në gjendje të shohin numrin e mospëlqimeve në videot e tyre, pasi mospëlqimet nuk do të jenë të dukshme për të tjerët, krahas ‘pëlqimeve’ në seksionin e komenteve nën secilën video.

Ndryshimi në qasjen e “mospëlqimit” të YouTube pason një provë të përditësimit në fillim të këtij viti.

YouTube tha se qëllimi është të ‘mbrojë krijuesit nga sulmet’ e koordinuara, në të cilat përdoruesit mblidhen së bashku për të rritur numrin e mospëlqimeve në një video të caktuar. Gjithashtu do të reduktojë ngacmimin e përgjithshëm.

Duke folur për BBC News, këngëtari Eddy Kenzo, i cili ka 200 të abonuar në YouTube tha se ky është një hap i madh që ndikon tek të gjithë krijuesit e vegjël.

“Njerëzit vendosin zemrën dhe shpirtin në diçka dhe më pas janë një grup njerëzish që bëjnë “dislike” dhe kjo është dëshpëruese”, tha Kenzo.

“Në llogarinë time në Instagram i kam hequr të gjitha pëlqimet dhe më ka ndihmuar vërtet të mos shqetësohem për numrin e njerëzve që e pëlqejnë atë”.

Megjithatë kundërshtarët e ndryshimit theksojnë se do ta bëjë më të vështirë për shikuesit të përcaktojnë nëse një video ia vlen të shikohet.

Numri i “pëlqimeve” dhe “mospëlqimeve” është një metrikë e dobishme me të cilën përdoruesit e YouTube mund të vlerësojnë përgjigjen e përdoruesve të tjerë.

Shumë njerëz thonë se shohin numrin e likeve dhe dislikeve për të kuptuar nëse një video ia vlen të shikohet apo jo dhe heqja e këtij opsioni nuk është e drejtë.

“Në fillim të këtij viti, ne eksperimentuam me butonin e mospëlqimit për të parë nëse ndryshimet mund të ndihmojnë ose jo në mbrojtjen më të mirë të krijuesve tanë nga ngacmimet dhe reduktimin e sulmeve të mospëlqimit, ku njerëzit punojnë për të rritur numrin e mospëlqimeve në një videot e krijuesit. Si pjesë e këtij eksperimenti, shikuesit mund të shihnin dhe të përdornin ende butonin e mospëlqimit. Por për shkak se numërimi nuk ishte i dukshëm për ta, zbuluam se kishin më pak gjasa të shtypnin butonin e mospëlqimit të një videoje për të rritur numrin e mospëlqimeve”, thanë zëdhënësit e Youtube.

Pra, kur njerëzit mund të shtypnin opsionin e mospëlqimit por nuk dilte numri total në video, ato nuk i jepnin rëndësi atij opsioni.

“Ne duam të krijojmë një mjedis gjithëpërfshirës dhe respektues ku krijuesit kanë mundësinë të kenë sukses dhe të ndjehen të sigurt për t’u shprehur. Ky është vetëm një nga shumë hapat që po ndërmarrim për të vazhduar mbrojtjen e krijuesve nga ngacmimet. Puna jonë nuk ka përfunduar dhe ne do të vazhdojmë të investojmë këtu”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë