Muzike

Yo-Yo Ma kërkon të shërojë botën me muzikën e Bahut

Violonçelisti i njohur Yo-Yo Ma ka nisur një fushatë për të vërtetuar se shprehja e kulturës është çelësi për të ndrequr ndasitë politike.

Anne Quito/ Quartz – Muzikanti 62 –vjeçar beson se kultura është e pandashme nga politika dhe albumi i tij më i ri, “Gjashtë Evolucionet – Bah: Suitë për Çelo", ka një tenor politik. Ma po udhëton në 36 qytete, në gjashtë kontinente dhe,  duke përdorur kryeveprën e shekullit të 18 –të,  të Johan Sebastian Bah, thotë se është “një shtrëngim për të mirë”.

Turi i tij botëror —hashtag #CultureinAction— është një thirrje për veprim gjatë një kohe ku “lidhjet që na mbajnë të detyruar politikisht, ekonomikisht dhe socilogjikisht po dobësohen,” , siç ka thënë në një leksion,  në Institutin e Teknologjisë së Masaçusetsit, prillin e kaluar. Pas çdo koncerti, Ma do të drejtojë një “ditë veprimi”, duke i ftuar njerëzit në shesh për të shfaqur kulturat e tyre përmes ushqimit, muzikës, artit, shkencës dhe bashkëbisedimit.

Ma thotë se dëgjimi i  njerëzve që jetojnë në margjinat e shoqërisë është veçanërisht i nevojshëm, duke përfshirë ata që jetojnë në qyteza rurale, qytete të mbyllur apo vende ku industritë janë braktisur. “Mendoj se kultura mund të bëjë gjithçka për të zbuar frikën, sepse frika na bën më të vegjël,  kurse kultura na bën më të mëdhenj,” shpjegon ai.

https://www.youtube.com/watch?time_continue=1&v=xR4IElye7eg

Pse Bahu është aq i veçantë? Ma thotë se kompozitori barok gjerman është një mësues i madh i empatisë. “Kjo është gjendje mendore, një mënyrë të menduari, për të cilën kultura na ndihmon të trajnohemi. Askush nuk e bën më mirë sesa Bahu”, ka thënë në MIT, duke vërejtur sesi trazuesja Suitë për Çelo, nr.5 “kombinon një objektivitet total dhe po aq një subjektivitet total, analizë dhe empati, vetëdije dhe nënvetëdije.”  Muzikanti luajti lëvizjen e dytë solemne nga Suita nr.5 gjatë përvjetorit të parë të sulmit të 11 shtatorit, në Nju Jork.

I lindur në Paris, nga prindër muzikantë me origjinë kineze, Ma kupton sesi muzika mund të ndërtojë ura mes të huajve dhe kundërshtarëve ideologjikë. Përgjatë karrierës, ai ka kërkuar të sfidojë stereotipin mbytës të “kulturës së lartë” të muzikës klasike perëndimore, duke u zhytur me gëzim në bossa nova-n e Brazilit, muzikën bluegrass dhe xhaz. Ansambli madhështor Silkroad, që themeloi më 1998-ën, shfaq artistë të zhanreve të ndryshme të muzikës që vijnë bashkë për të vërtetuar se “përqafimi i së ndryshmes nga çon drejt një botë më shpresëplotë.” Në një intervistë për Quartz, Ma përpunon arsyet pse kultura është forcë kaq jetësore në ditët e sotme.

Kur dolët me nocionin se kultura ka  rol, për të luajtur, në përmirësimin e marrëdhënieve njerëzore?

Muzika, artet dhe shkenca, dhe humanitetet – kultura – kanë qenë gjithnjë thelbësore. Ata takojnë një nevojë shumë bazike: për të kuptuar. Kultura e kthen “tjetrin” në “ne”.  Dhe si një urë mes sakrales dhe sekulares, na ndihmon të kuptojmë natyrën dhe natyrën njerëzore, për të eksploruar mrekullinë dhe për ta kthyer errësirën në dritë. Praktika e këtyre formave të të menduarit inkurajon të kuptuarit mbi sundimin, të vërtetën mbi ideologjinë dhe përulësinë mbi egoizmin.

Çfarë shpresoni nga rezultatet e “Kulturë në Veprim”? Cilët janë treguesit se po funksionon?

Shpresa ime për këtë projekt është të ndryshoj mënyrës sesi mendojmë rreth kulturës dhe rolit të saj në shoqëri. Në jetën time, muzika e Bahut më ka kujtuar vazhdimisht pushtetin e kulturës, aftësinë e sa për të folur njerëzimin tonë të përbashkët, për të ofruar ngushëllim, për t’u lidhur, për të shprehur kuptim, për të ndihmuar. Jemi të gjithë pjesëmarrës më krijimin e materialeve të forta sociale. Dhe kultura – gjithçka që na ndihmon të kuptojmë mjedisin tonë, veten dhe njëri-tjetrin, nga muzika te letërsia e deri te shkenca – na ndihmon ta bëjmë. Duke ndarë çfarë kam mësuar në afro 60 vjet si violonçelist dhe duke i ftuar të tjerët të kuptojnë të tjerët rreth botës për të ndarë çfarë njohin thellë, shpresoj se ne, bashkë, do të zbulojmë sesa e fuqishme mund të jetë kultura si motor i rritjes, komunitetit dhe shpresës kolektive.Është thënë shpesh se kultura duhet të kishte një vend në tavolinë me ekonominë dhe politikën. Besoj se do zbulojmë se kultura është tryeza, në të cilën ulemi të gjithë baskë, se është themeli për praktikat tona më të efektshme ekonomike dhe politike.

Yo-Yo Ma, Itzhak Perlman dhe Anthony McGill në përurimin e presidentit Barack Obama.



Si do e karakterizonit  marrëdhënien e artit me politikën?

Kam takuar dikur Mikhail Gorbaçovin në Bibliotekën ‘Kennedy’, në Boston. E pyeta se çfarë mendonte për lidhjen mes artit dhe politikës, duke iu referuar mbështetjes publike tëviolonçelistit Mstislav Rostropovich për mikun e tij, (shkrimtarin dhe disidentin) Solzhenitsyn, për të cilën u ndalua të luante publikisht,  për shumë vite. Përgjigja e Gorbaçovit ishte e  thjeshtë: “Mendoj se duhet të mbeten të ndara.” Besoj se një shoqëri e fortë varet nga ndërveprimi i kulturës – përfshi artet – dhe politikës. Si arti i të shprehurit dhe arti i qeverisjes u shpikën për t’i shërbyer nevojave tona më bazike: për të kuptuar mjedisin tonë, veten dhe të tjerët. Si kultura,  ashtu edhe politika kërkon ekuilibra mes rendit dhe kaosit. Kur nuk ka lidhje mes të dyjave, politika është pushtet i gjallë dhe kultura është thjesht një kullë e fildishtë,  që i flet vetes. Mirëqenie e shoqërisë varet mbi bashkëpunimin e kulturës dhe politikës ( dhe ekonomisë). Është aty ku politika dhe kultura pikëtakohen, ndodh që kultura mundet vërtetë të krijojë vlera dhe kuptim të përbashkët, se politika mund të jetë qeverisje e përgjegjshme me rrënjë në besimin se mund të punojmë bashkë për t’i dhënë formë një të ardhmeje më të mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë