Futboll

Ylber Ramadani shkëlqeu ndaj Romës, ja pse Interi ka vërtet interes për të!

Gazeta Si – Nga lojtarët e Kombëtares, ai që bëri paraqitjen më të mirë në fundjavë ishte mesfushori Ylber Ramadani. Leçe u mund 2-1 nga Roma, me 2 gola të pësuar në kohën shtesë, por futbollisti kuqezi ishte vërtet impresionues me atë që dha në fushë. Niveli i lojës së tij është vlerësuar edhe nga shtypi sportiv italian.

“Ramadani 6.5 – Mesfushori shqiptar është lojtari i kudondodhur për Leçen. I rëndësishëm sidomos në fazën mbrojtëse. Në fillim të pjesës së dytë zgjidh një situatë mjaft të vështirë në zonën e Leçes”. Ky është vlerësimi për Ramadanin. Më mirë se ai në radhët e Leçes ka bërë vetëm portieri Falkone, që priti penalltinë e Lukakut në fillim të ndeshjes.

Që në sezonin e tij të parë në Serinë A, Ramadani po bën një paraqitje të shkëlqyer. Te Leçe është titullar i padiskutueshëm dhe me minutazh të plotë. Aftësitë e tij fizike kanë bërë për vete edhe Interin, që po ndjek situatën me mesfushorin kuqezi.

Interesimi i klubit të madh italian për Ramadanin është konfirmuar edhe nga menaxhërët e lojtarit. Drejtori sportiv Auzilio e ndoqi në ‘Air Albania’ ndaj Çekisë dhe me siguri ka mbetur i kënaqur, sepse mesfushori ishte nga më të mirët në fushë. Në kampionat ndërkohë ai ka një nivel stabël dhe nuk është çudi që në janar të ketë zhvillime merkatoje. Interi ka nevojë për një lojtar me mushkëritë e Ramadanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë