Treg

Yieldet e bonove 1-vjeçare rriten lehtë në ankand

Pas uljes së ndjeshme në muajin prill, yield-et e bonove të thesarit me maturim 12 mujor u rritën lehtë në ankandin e parë të majit.

Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë, në ankandin e të martës ,bonot me maturim 12 mujor u emetuan me një yield mesatar të ponderuar prej 1.7%, nga 1.63% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Shuma totale e paraqitur në ankand dëshmoi sërish për një kërkesë të lartë të investitorëve financiarë prej 14.1miliardë lekësh , nga 9.2 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave.

Ofertat konkurruese gjithashtu u rritën ndjeshëm në në 79%, nga vetëm 23% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Edhe pse ankandi i parë i majit ka sjellë një normalizim të yield-eve ata sërish ngelen në nivele relativisht të ulëta.

Në ankandin e të martës, yield-i i bonove me maturim 6-mujor ra në 1.25%, nga 1.75% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, të  mbajtur në fillim të muajit mars.

 Kërkesat totale arritën në 3.1 miliardë lekë, nga 1 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave.

Ky nivel i ulët i yield-eve dëshmon një funksionim të mirë të mekanizmit të transmetimit. Në mbledhjen e fundit që u zhvillua në muajin mars, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë konfirmi orientimin se politika monetare do të vijojë të mbetet akomoduese gjatë gjithë horizontit kohor afatmesëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë