Nga Gazeta ‘SI’ – Yield-i i Bonove të Thesarit është rritur lehtë në ankandin e fundit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, yield-i i Bonove 12 mujore arriti në 2.78%. kërkesat arritën në 8.9 mld lekë por u pranuan vetëm 8.6 mld. Edhe për obligacionet ka një rritje të lehtë të kuponit.
Prej më shumë se një viti, yield-et e titujve të borxhit kanë qenë në nivele minimale, kjo për shkak se qeveria nuk ka pasur nevojë për likuiditet duke ulur kërkesën në treg.
“…prirja e yield-eve, në këtë periudhë, pasqyron presionet minimale të likuiditetit në treg. Ecuria e yield-eve është përcaktuar nga mungesa e presioneve në financim nga ana e qeverisë, e shoqëruar dhe me kërkesën e lartë të bankave në ankandet e tregut primar”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë, ku shpjegohen luhatjet e tregut të titujve.

Në fillim të këtij viti Shqipëria doli për herë të 7-të në tregjet e kapitalit, duke emetuar me sukses një Eurobond 10-vjeçar me vlerë 650 milionë euro, kupon 4.75% dhe me normë interesi (yield) 5%.
Në vitin 2024, shqiptarët investuan 54.8 mld lekë në borxhin e qeverisë, nga 40 mld që ishte një vit më parë. Por Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, AMF, raporton se numri i transaksioneve ka rënë me 28% dhe janë kryer vetëm 9.891 transaksione, duke treguar se është rritur vlera e tyre.

Për të njëjtën periudhë raportohet një rritje e pashpjegueshme e investitorëve të huaj që blejnë borxhin shqiptar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.