Treg

Yield-et u rritën lehtë në ankandin e së martës

Yield-et e Bonove të Thesarit shënuan një rritje të lehtë në ankandet e para të muajit mars, por niveli i tyre ngelet mjaft i qëndrueshëm dhe nuk po ndikohet shumë nga mjedisi i trazuar ekonomik global.

Bonot me maturim 12 mujor rezultuan me një yield mesatar të ponderuar prej 1.62%, nga 1.58% që kishte qenë ky tregues në ankandin e mëparshëm.

Tregu financiar vendas duket se ngelet mjaft likuid dhe gatishmëria e investitorëve për të financuar borxhin qeveritar është e lartë. Nga 9.2 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, në ankand u paraqitën kërkesa totale për një vlerë prej 11 miliardë lekësh.

Një tendencë e ngjashme u shënua edhe në ankandin e bonove me maturim 6-mujor. Yield-i mesatar i ponderuar u rrit lehtë në 1.24%, nga 1.21% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Qeveria shqiptare financoi një shumë prej 1 miliardë lekësh, ndërsa shuma e kërkesave në ankand arriti në 1.22 miliardë lekë.

Prej muajsh tregjet botërore po përballen me një rritje të çmimeve të lëndëve të para, që po përkthehet në rritje të shpejtë të çmimeve të konsumit. Kjo valë po përcillet me nivele në rritje të inflacionit edhe në ekonominë shqiptare.

Inflacioni ka arritur nivelin 3.7%, më i lartë në më shumë se një dekadë, ndërsa pritet një rritje e mëtejshme gjatë muajve në vijim, duke faktorizuar më tej presionet e larta inflacioniste që vijnë nga importi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë