Në fillim të këtij muaji, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë dha një tjetër paralajmërim për rritje të afërt të normës bazë të interesit, si përgjigje ndaj përshpejtimit të inflacionit në muajt e fundit.
Por, normat e interesit në të gjitha segmentet ngelen pranë niveleve më të ulëta historike. Një nga tregjet më të ndjeshme ndaj kahut të politikës monetare në teori duhet të jetë tregu primar i letrave të borxhit të qeverisë.
Por, në fakt, normat e interesit në këtë treg ngelen të qëndrueshme dhe me luhatje minimale.
Në ankandin e kësaj jave, bonot me maturim 12 mujor u emetuan me një yield mesatar të ponderuar prej 1.58%, me një rritje të papërfillshme nga niveli prej 1.57% i ankandit të mëparshëm.

Ndërkohë, yield-i mesatar i ponderuar i bonove 3-mujore pësoi rënie në 0.85%, nga 0.96% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.
Madje, as titujt me afat më të gjatë maturimi nuk duket se po shfaqin ndonjë tendencë drejt rritjes së yield-eve. Në rihapjen e ankandit të obligacioneve dyvjeçare të javës së kaluar, yield-i rezultoi në nivele të ngjashme me ankandet e mëparshme.
Në vendet me tregje financiare më të zhvilluara, normat e interesit të titujve qeveritarë në përgjithësi i paraprijnë lëvizjeve të bankave qendrore. Kjo do të thotë se pritshmëritë për rritje apo ulje të normave të referencës materializohen në yield-et e instrumenteve të borxhit të qeverive.
Një tendencë e tillë ka nisur në vërehet në muajt e fundit në titujt e shteteve të Eurozonës, megjithëse Banka Qendrore Europiane ende nuk ka ndërmarrë rritje të normave të interesit. Tregu shqiptar në këtë pikë duket më pak i ndjeshëm ndaj pritshmërive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




