Treg

Yield-et e bonove të thesarit shënuan sërish rënie të lehtë

Gazeta Si-Në ankandin e datës 1 shkurt, yield-i mesatar i ponderuar i bonove me maturim 12 mujor shënoi një rënie të lehtë në nivelin 1.57%, nga 1.59% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Ministria e Financave emetoi me sukses shumën prej 11.2 miliardë lekësh, ndërsa vlera e kërkesave totale të paraqitura në ankand arriti në 12.5 miliardë lekë.

Një tendencë e ngjashme u regjistrua edhe në bonot me maturim 6-mujor. Yield-mesatar i ponderuar zbriti në 1.21%, nga 1.31% që kishte qenë në ankandin e fundit për instrumentet e këtij maturiteti, që ishte zhvilluar në muajin nëntor.

Edhe në këtë ankand distanca mes kërkesës dhe ofertës ishte e konsiderueshme, me rreth 2.5 miliardë lekë kërkesa të paraqitura, kundrejt një shume të shpallur për financim prej 1 miliardë lekësh.

Bonot e thesarit ende po ruajnë nivele të përafërta me fundin e vitit të kaluar, madje edhe me një rënie të lehtë.

Inflacioni i lartë ka bërë që bankat qendrore të përgatisin tregjet për një rritje të normave të interesit.

Një orientim të tillë e ka dhënë edhe Banka e Shqipërisë. Pas mbledhjeve të fundit të Këshillit Mbikëqyrës, është paralajmëruar një tërheqje graduale e stimulit monetar dhe një rritje e normave të interesit gjatë vitit 2022.

Një faktor tjetër që krijoi pritshmëri për një lëvizje në rritje të yield-eve është rritja e huamarrjes së planifikuar në tregun e brendshëm financiar, që në tremujorin e parë të vitit 2022 pritet të ketë vlerën e 116.7 miliardë lekëve (përfshirë këtu edhe rifinancimet), në rritje me 71% krahasuar me tremujorin e fundit 2021 dhe me rreth 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë