Treg

Yield-et e Bonove të Thesarit shënuan një rritje të lehtë

Bonot me maturim 12-mujor u shitën me një yield mesatar të ponderuar prej 1.71%, nga 1.67% që kishte qenë ky tregues në ankandin e mëparshëm, duke u rritur lehtë,sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë.

Kërkesa për këto instrumente rezultoi e lartë, për një shumë totale prej pak më shumë se 8 miliardë lekësh.

 Ministria e Financave pranoi të shiste bono për 4.6 miliardë lekë, shumë kjo pak më e ulët se vlera e shpallur në ankand prej 5 miliardë lekësh.

Ndërkohë, Bonot me maturim tremujor u shitën me një yield mesatar të ponderuar prej 0.82%, nga 1% që kishte qenë i njëjti tregues në ankandin e fundit për të njëjtat instrumente.

Ministria e Financave shiti rreth 850 milionë lekë Bono 3-mujore, kundrejt një kërkese totale në vlerën e 1.2 miliardë lekëve. Edhe këto ankande konfirmuan se tregu shfaqet likuid dhe interesi për të investuar në instrumentet e borxhit qeveritar është në nivele të larta.

Pas mbledhjes së datës 3 nëntor, Këshilli Mbikëqyrës vendosi ndryshimin e formës aktuale të ankandeve për marrëveshjet e riblerjes që nga fillimi i vitit të ardhshëm. Forma aktuale e ankandeve garanton injektimin e likuiditetit në sasi të pakufizuar dhe u adoptua në mars 2020, menjëherë pas fillimit të pandemisë.

Rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare në muajt e fundit e ka vendosur ekonominë përballë rrezikut të një vale të fortë inflacioniste.

Në Eurozonë, inflacioni ka arritur nivelin 4.1%, ndërsa në SHBA ka kaluar nivelin e 5%. Në Shqipëri, për momentin, ndikimi është ende i kufizuar dhe, sipas Instat, inflacioni për muajin tetor ishte 2.4%. Megjithatë, analizat e Bankës së Shqipërisë parashikojnë një rritje të inflacionit gjatë tremujorëve në vazhdim.

Pritshmëritë për inflacionin në të ardhmen e afërt maten kryesisht nëpërmjet Treguesit të Presioneve të Huaja Inflacioniste, që u rrit me 9.3% në terma vjetorë gjatë tremujorit të tretë 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë