Treg

Yield-et e Bonove dhe Obligacioneve sërish në rritje

Rritja e yield-eve të instrumenteve të borxhit qeveritar po vijon në ritme të qëndrueshme.

Në ankandin e kësaj jave, obligacionet me maturim dyvjeçar të qeverisë shqiptare u emetuan me një kupon prej 2.9%, në rritje nga niveli prej 2.56% i ankandit të mëparshëm, të zhvilluar muajin e kaluar.

Kërkesa e investitorëve në ankand shënoi një përmirësim të dukshëm krahasuar me ankandet e fundit.

Shuma e shpallur për financim ishte tre miliardë lekë ndërsa u paraqitën kërkesa me një vlerë totale prej 8.9 miliardë lekësh.

Ministria e Financave vendosi të pranojë kërkesa në vlerë pak më të lartë se ajo e shpallur, duke arritur në 3.45 miliardë Lekë, edhe për të kompensuar mosplotësimin e shumës së kërkuar në disa ankande të mëparshme.

Në ankandin e bonove 12 mujore të javës së kaluar kërkesa totale u ndal në 4.15 miliardë Lekë, nga 6 miliardë lekë Bono të ofruara nga qeveria shqiptare.

Yield-i mesatar i ponderuar i këtyre instrumenteve vijoi të rritet dhe arriti nivelin e 2.72%, nga 2.51% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Në rritje të dukshme janë edhe bonot me maturim 6-mujor, me një yield mesatar të ponderuar që në ankandin e fundit arriti në 2.1%, nga 1.85% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Inflacioni më i lartë prej më shumë se dy dekadash dhe ndryshimi i kahut të politikës monetare po sjellin një korrektim të shpejtë në rritje të yield-eve të bonove dhe të obligacioneve. Krahasuar me një vit më parë, yield-i i Bonove 12 mujore është rritur me 92%.

Inflacioni për qershorin arriti nivelin 7.4% dhe në mbledhjen e muajit korrik Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë rriti sërish normën bazë të interesit, nga 1.5% në 1.75%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë