Treg

Yield-et e Bonove bien për herë të parë pas dy muajsh

Yield-et e Bonove të Thesarit kanë shënuar kthesë në fund të prillit.

Bonot me maturim 12-mujor u emetuan me një yield mesatar të ponderuar prej 1.95%, në rënie të ndjeshme nga niveli prej 2.22% i ankandit të mëparshëm.

Kjo shënoi rënien e parë të yield-it të Bonove 1 vjecare, pas më shumë se dy muajsh.

Nga 9 miliardë Lekë që ishte shuma e shpallur për financim, në ankand u paraqitën kërkesa totale me vlerë prej 12.4 miliardë Lekësh. Ministria e Financave vendosi të pranojë një shumë pak më të lartë se planifikimi fillestar, në rreth 9.24 miliardë Lekë, për të kompensuar pjesërisht shumat e paplotësuara të huamarrjes nga ankandet e mëparshme.

Për disa ankande radhazi gjatë muajve mars dhe prill, kërkesa pati qenë e pakët, aq sa qeveria nuk pati arritur të siguronte dot të gjitha shumat e programuara.

Yield-i mesatar i thjeshtë i kërkesave të pranuar në ankand rezultoi 2.15%, ndjeshëm më i lartë se ai mesatar i ponderuar prej 1.95%.

Kjo tregon se yield-i i ponderuar është ndikuar ndjeshëm nga një ose pak pjesëmarrës me vlerë të lartë të kërkesës së pranuar. Zakonisht, aktorët me peshën kryesore në tregun e Bonove janë bankat tregtare që kanë pjesë të madhe tregu në depozita dhe zotërojnë sasi të mëdha likuiditetesh të lira, që investohen në tregun primar të Bonove dhe Obligacioneve.

Në muajin mars, Banka e Shqipërisë rriti për herë të parë në një dekadë normën bazë të interesit, me 0.5 pikë përqindje. Kjo lëvizje erdhi si reagim ndaj rritjes së shpejtë të inflacionit, duke filluar nga fundi i vitit 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë