Para

Yield-et e bonove 12 mujore qëndrojnë në nivele të ulëta

Bonot me maturim 12 mujor u emetuan me një yield mesatar të ponderuar prej 1.45% nga 1.46% që ishte në ankandin e mëparshëm, duke qëndruar në nivele të ulëta, sipas Bankës së Shqipërisë.

Nga 8.2 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim, kërkesat e paraqitura në ankand ishin rreth 8.23 miliardë lekë, ndërsa prorata e kërkesave konkurruese të pranuar arriti në 90.2%.

Kërkesa e investitorëve në përgjithësi është më e lartë për instrumentet me maturim afatgjatë dhe nuk përjashtohet që një pjesë e fondeve të bankave apo investitorëve institucionalë të vendosen në ankandet e ardhshme të obligacioneve.

Tregu primar i instrumenteve të borxhit qeveritar në përgjithësi është karakterizuar nga norma të ulëta interesi.

 Banka e Shqipërisë edhe në daljet e fundit ka konfirmuar se do të vijojë të njëjtin intensitet të stimulit monetar, së paku deri në fund të tremujorit të tretë 2021.

Ministria e Financave parashikon të financojë rreth 91 miliardë lekë në tregun e brendshëm financiar për tremujorin e tretë të vitit.

 Sipas kalendarit të emetimeve, huamarrja do të shënojë një rritje të lehtë me rreth 1.3% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit.

Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar, huamarrja do të jetë ndjeshëm më e lartë, me rreth 14% më shumë. Ky ndryshim vjen kryesisht për shkak se deficiti buxhetor në gjysmën e dytë të vitit të kaluar u mbulua kryesisht nëpërmjet eurobondit të qershorit 2020, që zëvendësoi një pjesë të mirë të huamarrjes së brendshme. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë