Treg

Yield-et e bonove 12-mujore bien në nivelin më të ulët nga qershori 2019

Yield-et e bonove 12-mujore pësuan një rënie të mëtejshme në ankandin e kësaj jave.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar  zbriti në 1.46%, nga 1.52% që ishte në ankandin e mëparshëm.

Yield-i i regjistruar në ankandin e kësaj jave shënon nivelin e ri më të ulët të dy viteve të fundit.

Nga 8.14 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, kërkesat totale në ankand arritën vlerën e 10.4 miliardë lekëve.

Pjesa e ofertave konkurruese të pranuara po qëndron në nivele të ulëta, me 28.14%.

Këtë javë u zhvillua gjithashtu edhe ankandi i bonove tremujore, ku yield-i mesatar i ponderuar rezultoi 0.96%, me një rritje shumë të lehtë nga niveli 0.89% i ankandit të mëparshëm, që ishte zhvilluar në muajin maj.

Në këtë ankand, Ministria e Financave shiti 858 milionë lekë bono dhe kërkesa ishte e njëjtë me shumën e shpallur për financim

Kjo kërkesë më e ulët nga tregu mund të shpjegojë rritjen, sado të vogël, të yield-eve për këto instrumente. Për shkak të kthimeve relativisht të ulëta dhe maturimit të shpejtë, bonot 3 dhe 6 mujore tërheqin më pak interes nga investitorët krahasuar me titujt më afatgjatë.

Për tremujorin e dytë të vitit, qeveria shqiptare planifikoi një huamarrje totale, duke përfshirë edhe rifinancimet, prej rreth 89 miliardë lekësh, nga pothuajse 97 miliardë lekë në tremujorin e parë.

 Kjo nënkupton një kërkesë në rënie për financim dhe më pak trysni për rritje të yield-eve. Për tremujorin e tretë kalendari i huamarrjes nuk është publikuar ende, megjithatë nuk pritet ndonjë luhatje që të mund të ndikojë shumë balancat e tregut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë