Treg

Yield-et e bonove 12-mujore arrijnë nivelin më të lartë në 9 vjet 

Yield-et e bonove 12-mujore shënuan një tjetër rritje të fortë në ankandin e fundit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar arriti në 5.26%, nga 4.74% që ishte në ankandin e mëparshëm, në fillim të këtij muaji. Ky është niveli më i lartë nga korriku 2013.

Ankandi i djeshëm(18 tetor) i bonove 12-mujore ishte i pari për këto instrumente pas rritjes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, më datë 5 tetor.

Këshilli Mbikëqyrës e rriti normën bazë me gjysmë pikë përqindjeje duke e çuar në nivelin 2.25%.

Pjesëmarrja e investitorëve në ankand rezultoi e lartë. Nga 10.5 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim, në ankand u paraqitën kërkesa totale për 12.7 miliardë lekë. Ministria e Financave vendosi të rrisë shumën e kërkesave të pranuara me limitin e lejuar prej 15% dhe pranoi përfundimisht një shumë prej 12.075 miliardë lekësh. Kjo shumë kompenson pjesërisht shumat e paplotësuara gjatë këtij muaji në ankandet e obligacioneve 2-vjeçare dhe 10-vjeçare.

Në përgjithësi, ankandet e bonove kanë një pjesëmarrje më të lartë të investitorëve kryesorë në instrumentet e borxhit të brendshëm, bankave tregtare.

Krahasuar me një vit më parë, yield-i mesatar i bonove 12 mujore është rritur me pothuajse 3.6 pikë përqindjeje. Kjo rritje do të përcillet në rishikimin e normave të interesit të kredive që ndërtohen mbi yield-in e bonove.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë