Yield-et e bonove të thesarit me maturim 12 mujor ranë sërish në ankandin e ditës së martë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar rezultoi në nivelin 1.64%, shumë afër nivelit minimal të këtij viti, nga 1.63%, që ishte regjistruar në muajin prill.
Një rënie akoma më të ndjeshme pësuan yield-et e bonove me afat tremujor, që zbritën në nivelin mesatar 0.89%, nga 1.37% në ankandin e mëparshëm.
Prorata ose përqindja e ofertave konkurruese të pranuara ishte mjaft e ulët në të dy ankandet, poshtë nivelit të 20%.
Në raportin e politikës monetare për tremujorin e dytë të vitit, Banka e Shqipërisë vlerësonte se normat e ulëta të interesit duhet të vazhdojnë, megjithë sinjalet e përmirësimit të ekonomisë reale në tremujorët e fundit.
Edhe rezultatet e tremujorit të parë treguan rezultatet financiare fitimprurëse, rritje të mëtejshme të huadhënies dhe ulje të lehtë të raportit të kredive me probleme.
Për tremujorin e dytë të vitit, qeveria ka planifikuar një huamarrje totale (përfshi rifinancimet) prej rreth 89 miliardë lekësh, nga pothuajse 97 miliardë lekë në tremujorin e parë. Kjo nënkupton një kërkesë në rënie për financim dhe më pak trysni për rritje të yield-eve.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




