Maverick Vinales nuk do të garojë në Çmimin e madh të Austrisë në MotoGP, i programuar për këtë fundjavë. Madje mund të thuhet se sezoni i tij me Yamahan ka përfunduar. Skuadra nga Iwata, ka vendosur ta pezullojë pilotin, sepse ka zbuluar se në garën e zhvilluar në Spielberg, piloti spanjoll me veprimet e tij ka dëmtuar qëllimisht motorin e tij YZR-M1.
Me një komunikatë zyrtare, Yamaha ka shpjeguar se “pezullimi i Vinales vjen pas një veprimi të parregullt e të pashpjegueshëm, me motorin e tij, të bërë nga ai gjatë garës së fundjavës së kaluar. Vendimi vjen pas analizave të thella të telemetrisë dhe të dhënave gjatë ditëve të fundit”. Konkluzioni është se “Veprimet e pilotit kanë shkaktuar dëme të mëdha në motor, gjë që mund të kishte rrezikuar seriozisht vetë Vinales dhe pilotët e tjerë në garë”.
Spanjolli nuk do të zëvendësohet nga Yamaha në garën e Austrisë, ndërsa për vazhdimësinë, vendimi do të merret nga skuadra japoneze, pas analizave më të hollësishme të kësaj situate dhe pas diskutimeve me vetë Maverick. Në Çmimin e Madh të Stirias, pak ditë më parë, Vinales ishte viktimë e problemeve teknike të paspecifikuara në motorin e tij, gjatë nisjes së dytë të garës, që i kushtëzoi seriozisht garën.
Një lajm shokues ky për skuadrën japoneze, që kulmon thuajse me largimin e pilotit spanjoll nga Yamaha, para përfundimit të kampionatit. Vinales në fakt sezonin e ardhshëm do të shkojë te Aprilia, por rrugët midis tij e Yamahas duket se do të ndahen më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




