Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi pas njoftimit të SPAK se nuk ka gjetur asnjë provë që të përfshijë Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama, në dosjen “Xibraka”.
Në një video të postuar në rrjetet sociale, Bardhi u shpreh: “Hetimet kanë përfunduar, por nuk kanë përfunduar”.
“Ky ishte thelbi qesharak i atij njoftimi të prokurorisë, të cilin e kam paralajmëruar që ditën e parë kur kam denoncuar me fakte dyshimin e arsyeshëm se vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, ka një përfshirje të mundshme në çështjen e laboratorit të Xibrakës”, thotë Bardhi, duke shtuar se Prokuroria nuk ka hetuar fare.
“Ajo deklaron vetë se e ka të pamundur të identifikojë personat e përfshirë. Njoftimi se njëri prej tyre nuk është i përfshirë, por ne nuk e dimë se kush janë të tjerët, është fiks logjika që u përdor para 10 vitesh nga policia që na tha se kishte identifikuar moshën e personit, por nuk gjente dot emrin”.
Bardhi thotë se i kupton prokurorët e SPAK-ut pasi ndihen të intimiduar nga pushteti i Edi Ramës, por nuk kanë asnjë arsye për t’u bërë qesharakë.
“Personalisht, e kisha të qartë pamundësinë e tyre për të ndëshkuar dikë që ka statusin e të pandëshkueshmit për shkak të pushtetit të vëllait. Në 4 prill 2024, ministri i Brendshëm i kohës, Taulant Balla, deklaronte se ai kishte dijeni se kush ishte personi 45 vjeç, por pa emër. Unë pyes prokurorin nëse e ka thirrur Ballën për ta pyetur për këtë informacion? Mjafton ky fakt për të treguar se nuk ka pasur hetim për të zbardhur të vërtetën”, shton Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.