Gazeta Si – Presidenti Xi Jinping lançon Iniciativën për Qeverisje Globale, e cila synon të krijojë një urë lidhëse botërore për “Hendekun Veri-Jug”, duke sfiduar rendin perëndimor të udhëhequr nga SHBA-të, të vendosur pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
“Do të doja të propozoja një iniciativë për qeverisje globale dhe të punoja me të gjitha vendet për të ndërtuar së bashku një sistem qeverisjeje globale më të drejtë dhe të barabartë dhe për të ecur drejt një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin”, – tha Xi, duke folur në Tianjin në takimin e formatit “plus” të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, i cili është i hapur edhe për anëtarët jo të plotë.
Ndërsa trendet historike “të paqes, zhvillimit, bashkëpunimit dhe përfitimit të ndërsjellë mbeten të pandryshuara, mentaliteti i Luftës së Ftohtë, hegjemonizmi dhe proteksionizmi vazhdojnë të përndjekin botën”, tha Xi, duke vënë në dukje se ka “kërcënime dhe sfida të reja, dhe bota ka hyrë në një periudhë të re turbulencash dhe transformimi”.
Lidhur me Iniciativën për Qeverisje Globale, Xi përmendi pesë parime udhëzuese: barazia sovrane; sundimi ndërkombëtar i ligjit; multilateralizmi; një qasje e përqendruar te njerëzit; dhe së fundmi, ndërmarrja e veprimeve konkrete.

Në këtë kontekst, SCO “është bërë gjithnjë e më shumë një katalizator për zhvillimin dhe reformimin e sistemit të qeverisjes globale”, duke vazhduar të mbështesë “parimet e mos-aleancës, mos-konfrontimit dhe mos-sulmit ndaj palëve të treta”.
SCO, me fjalë të tjera, “duhet të mbetet një forcë për stabilitet në këtë botë të paqëndrueshme”.
Xi përmendi krijimin nga Pekini të tre platformave kryesore për bashkëpunimin Kinë-SCO në fushat e energjisë, industrisë së gjelbër dhe ekonomisë digjitale dhe do të hapë qendra për bashkëpunim në inovacionin shkencor dhe teknologjik.
“Ne do të bashkëpunojmë me vende të tjera për të rritur kapacitetin e instaluar të energjisë fotovoltaike dhe të erës me 10 milionë kilovat secila gjatë pesë viteve të ardhshme”, tha Xi.
Kina është gjithashtu e gatshme të ndërtojë një qendër bashkëpunimi për aplikimet e inteligjencës artificiale (AI) me të gjitha palët dhe të ndajë përfitimet e progresit në këtë fushë.
Presidenti kinez bëri thirrje për veprim “për të mbështetur drejtësinë në nivel ndërkombëtar”, me “kundërshtim të prerë ndaj hegjemonizmit dhe politikës së pushtetit, për të praktikuar multilateralizmin e vërtetë dhe për të vendosur promovimin e një bote shumëpolare dhe demokracisë më të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare si gurthemelin tonë”.

Së fundmi, ai i nxiti të gjithë të promovojnë “një perspektivë të saktë historike mbi Luftën e Dytë Botërore”.
Më herët, kryeministri indian, Narendra Modi, i ka kërkuar presidentit rus Vladimir Putin të ndalë sa më shpejt luftën në Ukrainë.
Gjatë takimit në Kinë në kuadër të samitit të SCO-së në Tianjin, kryeministri indian tha se duhet të gjendet një mënyrë për t’i dhënë fund sa më shpejt konfliktit dhe për të vendosur një paqe të qëndrueshme.
“India mirëpret të gjitha përpjekjet e fundit të bëra për paqen. Shpresojmë që të gjitha palët do të vazhdojnë në këtë drejtim, në një mënyrë konstruktive. Ne duhet të gjejmë një mënyrë për t’i dhënë fund konfliktit sa më shpejt të jetë e mundur dhe për të vendosur një paqe të qëndrueshme. Kjo është thirrja e të gjithë njerëzimit”, tha Modi në fjalën hapëse të takimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



