Gazeta Si – Ish-deputeti dhe kandidati i PD për deputet në qarkun e Dibrës, Xhemal Gjunkshi, është paraqitur mëngjesin e kësaj të marte në SPAK për të dorëzuar një kallëzim penal për krime zgjedhore ndaj disa prej zyrtarëve të bashkisë së Peshkopisë.
Mësohet se bëhet fjalë për denoncim ndaj kreut të Bashkisë Peshkopi, Rrahim Spahiu, drejtorit të Shërbimeve Publike, Bedri Kamberi dhe kreut të njësisë administrative Luzni, Labinot Murrja.
Në një deklaratë për mediat pas daljes nga SPAK, Gjunkshi u shpreh se SPAK duhet të çojë para drejtësisë këdo të përfshirë në këto krime, teksa sjell në vëmendje dhe “dosjen 184”.

“Ne jemi këtu për të sjellë zërin e qytetarëve. Dosja 184 është dosje e hapur është i përfshirë drejtpërdrejt edhe kryeministri i vendit. Nga ana e PD është kallëzuar dhe po ndiqen procedurat. SPAK të marrë hapat e nevojshëm dhe një ditë këtu të vijë edhe kryeministri i vendit. Rasti konkret; kallëzimi që unë kam bërë është për kryetarin e bashkisë, ai është strumbullari. Besoj që është çështje që i takon SPAK për të vazhduar. Është detyra e SPAK të kryejë detyrën me profesionalizëm. Duke u bazuar në ato fakte e dokumente, të dërgojë para drejtësisë këdo; qoftë ministër apo ish-ministër që ka pasur funksion publik në këtë administratë”.
Gjunkshi theksoi se dibranët nuk do t’ia falin deklaratat Ramës dhe tha se PD në Dibër do të marrë 4 mandate, kurse PS vetëm një mandat.
“Dibranët nuk ia falin Edi Ramës atë ofendim aq të madh që i ka bërë kryeçyryku dhe kryekopuku i Shqipërisë do të marrë përgjigjen e merituar në Dibër; PD 4, PS 1”.
Xhemal Gjunkshi u zgjodh deputet i Partisë Demokratike në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2017.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.