Nga Gazeta ‘Si’- Drejtuesi i fushatës së Partisë Demokratike në qarkun Dibër, Xhalal Mziu dhe nipi i tij kanë dhunuar një person, duke e goditur atë me grusht.
Policia njofton se ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme rreth orës 13:00 në fshatin Ostren, pas një takimi elektoral të PD, në ambientet e jashtme të njësisë administrative.
Punonjësi i njësisë, Kalosh Murra, i cili është dhunuar, mban detyrën e përgjegjësit të ndihmës ekonomike. Policia ka referuar materialet në SPAK për deputetin e PD, Xhelal Mziu dhe nipin e tij.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në SPAK, për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, për shtetasit Xh. M., 58 vjeç dhe E. M., 36 vjeç, xhaxha e nip, të dy banues në Tiranë, sepse rreth orës 13:00 të datës 24.04.2025, pas një takimi elektoral të zhvilluar nga subjekti politik “Partia Demokratike”, në fshatin Ostren, dyshohet se kanë goditur me grushte, shtetasin K. M., 33 vjeç, banues në Shupenzë, në ambientet e jashtme të njësisë administrative Ostren”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.
Mziu është aktualisht drejtuesi i PD-së për qarkun e Dibrës, njëherësh edhe kandidat për deputet në zgjedhjet e 11 Majit, pjesë e listës së mbyllur.
Në ambientet e SPAK, për herë të fundit Mziu ka qenë në qershor të vitit të shkuar, ku u pyet për më shumë se 1 orë në kuadrin e një hetimi për tenderat e pastrimit dhënë në kohën kur ai ishte kryebashkiak i Kamzës. Ndërsa në 2022-in, demokrati dha deklarime për një tjetër hetim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.