Nga Gazeta Si– Ai ka qenë përballë dy emrave të mëdhenj të epikës historike, që përpos krenarisë që ndjente, ka pasur detyrimin edhe t’i trashëgonte.
Ndaj polifonia për të erdhi edhe si një formë obligimi.
“Jam nga Tepelena, por kam një lidhje të dyfishtë me Tepelenën. Përveçse jam nip në Bënçë të Tepelenës, te këngëtari i shquar i grupit polifonik të Bënçës, Golik Jaupi, njëkohësisht dhe nga gjeneza historike unë jam nipi i Heroit të Popullit, Xheladin Beqiri të Karadakut. Sigurisht janë dy emra të mëdhenj të epikës historike, që është Heroi i Popullit, por edhe të këngës epike të Golik Jaupi, këngëtarit të grupit të Bënçës”. Kështu e nis rrëfimin për Gazetasi.al Xheladin Beqiri, i cili mban mbi supe titullin ‘Mjeshtër i madh’ për kontributin e tij si këngëtar, rapsod dhe si një përçues i këngës polifonike përgjatë kohërave.
Për Xheladin Beqirin, të gjitha llojet e muzikës janë të dashura për njerëzit, po kënga polifonike është shumë herë më e dashur.
“Të gjitha këngët e tjera bëhen duke ushtruar mënyrën e të kënduarit mbi një vegël tjetër, ndërsa kënga polifonike e ushtron mënyrën dhe melodinë e të kënduarit direkt me kordat zanore, domethënë është sikur e prek një gjë vetë”, rrëfen Beqiri më shumë për këtë trashëgimi kulturore shpirtërore si polifonia.
Duke qenë nip i Golik Jaupit, një Mjeshtri të polifonisë, Xheladin Beqiri e ka rrahur veshin që në fëmijëri me këngët e bukura polifonike të grupit të Bënçës, por edhe të grupeve të tjera të Labërisë.
“Fillesat e para si çdo fëmijë i kam që në 8-vjeçare me ato rrethet muzikore, në koncertet e shkollës, festivale të ndryshme”, rrëfen Xheladin Beqiri, ndërsa shton se polifoninë do ta ndiqte hap pas hapi edhe në vitet në vijim.
Muzika dhe polifonia ishin më shumë pasion dhe lidhje familjare sesa studime të mirëfillta për këtë fushë. Të kënduarit e kishte shumë më të rëndësishme, të domosdoshme. Nuk qëndronte dot.
“Unë kam mbaruar për histori-gjeografi në Universitetin e Gjirokastrës, në vitet ‘83-‘87, por brenda degës së historisë së atëhershme ishte edhe folklori. E ruajta dhe në universitet lidhjen me polifoninë. Në universitet kishte një grup të mirë polifonik me djem nga Tepelena, nga Vlora, edhe atje këndonim. Njëkohësisht unë gjatë muajve të verës isha pjesë e grupit polifonik të Bënçës. Në ‘83 për herë të parë që unë vajta në Universitet, ne ishim në formacionin e grupit të Bënçës, bëmë festivalin e rrethit, që zgjidheshin numrat më të mirë, si ky që u bë sivjet, por në kohën e komunizmit bëheshin shumë herë më të mirë”, kujton Beqiri fillesat e të kënduarit që në kohën e Universitetit.
Dalja në skenë për herë të parë në rrugë zyrtare dhe profesioniste për Xheladin Beqirin ka qenë vitin 1983 me grupin e Bënçës, nga mbrapa me iso. Pastaj filloi që kënga të bëhej edhe më e dashur për të, po njëkohësisht edhe më e pëlqyeshme.
“Me kalimin e viteve fillon njeriu edhe të krijojë dhe të ndërtojë vetë edhe mënyrën se si këndon, edhe stilin e këngës, edhe tonalitetin, edhe melodinë”, rrëfen më tej mjeshtri Beqiri.
Pas viteve 2000 ai u bë pjesë e grupit polifonik “Jonianët” në Sarandë, ku vazhdoi për gati 10 vjet në skenat e Sarandës me këtë grup, por edhe si të ftuar jashtë shtetit si Gjermani, Pragë, Belgjikë, Kosovë.
Në vitet 2015 ai do të bëhej pjesë e një tjetër grupi polifonik, “Zëri i bilbilit” në Sarandë, që për të ka qenë një përvojë e mirë.
“Përveçse performonte në skena dhe në festivale, apo koncerte, përgjegjësi i grupit e kishte futur këngën polifonike edhe te turistët e huaj, në Sarandë, kryesisht në Kalanë e Lëkursit duke dhënë një koncert rreth një orë me 7-8 këngë polifonike”.
Polifonia ka ardhur gradualisht duke u forcuar e duke u dashuruar më shumë me të, ndaj vitet e fundit ai ka ndërtuar grupin e tij polifonik, me emrin “Shqiponja”.
“Marrim përsipër edhe këngë tablo në kuptimin e historisë së njerëzve që e duan këngën polifonike, për t’ia dedikuar një personazhi të tyre, por ishim edhe pjesë e koncerteve si p.sh hapjes së turizmit në Sarandë”, rrëfen me ngazëllim Beqiri, ndërsa sqaron se ai është këngëtar solist, pra marrës grupi, por njëkohësisht edhe tekstshkrues për grupin, por edhe për grupe të tjera.
Ndërkohë më 29 korrik, mjeshtri Xheladin Beqiri do të jetë drejtues artistik i eventit “Ngjyrat e Sarandës”, një event ky, në të cilin Gazetasi.al do të jetë media partner. Sipas tij, ky aktivitet që synon njohjen dhe ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore të zonës së Sarandës, vjen si një ide e bukur edhe për ta rivitalizuar jetën kulturore dhe artistike në këtë qytet.