Gazeta Si – Një gol i sulmuesit boshnjak në fillim të pjesës së dytë vendosi kryendeshjen e javës së 16-të të Serisë A mes Interit dhe Napolit. Skuadra e Spaletit, pas 11 fitoresh dhe 15 rezultatesh pozitive radhazi, ndalet në Milano. Diferenca e Napolit me vendin e dytë shkurtohet në 5 pikë.
Interi mundi 1-0 Napolin, duke i shkaktuar humbjen e parë sezonale. Ishte një ndeshje e dominuar nga zikaltrit që rrezikuan që në fillim me Dimarkon dhe Darmian.
Pak pas fillimit të pjesës së dytë, Xheko përfitoi nga një përgjumje e mbrojtjes së Napolit dhe me një zhytje të bukur me kokë shënoi golin e vetëm të ndeshjes. Mjaft i bukur edhe krosi i Dimarkos nga e majta.
Vrapimi i djemve të Spaletit ndalet në ‘San Siro’. Interi mban kështu hapin e Juventusit dhe Milanit, duke kontribuuar në shkurtimin e diferencës në klasifikim.
Juventusi më parë arriti të fitonte me shumë vështirësi në fushën e Kremonezes. Edhe kjo ndeshje u vendos nga një gol, që u shënua në shtesë nga Milik, me një goditje dënimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.