Ngjarje

Arrestohet xhaxhai tjetër i Elvis Shkambit pas kërcënimit: Gjyqtari që e dënon, do përballet me plumba! (video)

Gazeta Si – Gjovalin Shkambi xhaxhai tjetër i Elvis Shkambit, i cili vrau gjyqtarin Astrit Kalaja pasditen e të hënës, ka kërcënuar me zë e figurë këtë të martë, duke thënë se edhe gjyqtari që do të dënojë nipin e tij, do të ketë të njëjtin fat.

Policia thotë se pas shoqërimit të 49-vjeçarit Gjovalin Shkambi, me mbështetjen e forcave “Shqiponja”, është bërë arrestimi dhe materialet do të referohen në Prokurori për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.

Sipas Kodit Penal, deklaratat e tij përbëjnë veprën penale të kanosjes ndaj punonjësve shtetërorë dhe mund të dënohen deri në 2 vjet burg.

“Ai që do dënojë atë, do të përballet më të njëjtën gjë!”, me gjakftohtësi, ishte ky paralajmërimi që xhaxhai i vrasësit të gjyqtarit, Astrit Kalaja, bëri sot, 7 tetor, një ditë pas krimit të rëndë te Gjykata e Apelit Tiranë.

“Ai që dënon nipin tim do të përballet me të njëjtën gjë, me plumba, sepse ka 13 vite që i shkruajmë kryeministrit e gjithë qeverisë, na jepni pronën. Ai gjyqtar që merr atë vendim ka të njëjtin shpërblim, – thotë Gjovalin Shkambi. – Familjes të të ndjerit gjyqtar u ulem në gjunjë dhe u kërkoj hallallin me kishë e xhami. Mos u merrni me atë sport se kemi 13 vite që informojmë shtetin, kemi blerë pronën me ligj e me rregulla. Kushdo të jetë në qoftë Donald Trum, në qoftë edhe Papa vetë”.

Ai i kërkon shtetit të hetojë dhe thekson se nuk e ka ditur që nipi i tij do të kryente krimin e rëndë në Gjykatën e Apelit.

“Të hetojë shteti se ka 13 vite që i shkruaj Ramës, më liro pronën dhe nuk ka lojë më me neve. Nuk e kam ditur veprimin që do të kryente nipi im”, – u shpreh Gjovalin Shkambi.

Më tej, Gjovalin Shkambi thotë se nuk i druhet hakmarrjes.

“Kush ta dënojë atë djalë, gjykohet me plumba në sallë të gjyqit prapë! Se më ka prerë në besë shteti, se ia kam blerë shtetit, s’ka gjyqtar që e dëno!”, kërcënon ai me tone të larta. “I ha plumbat sikur Astriti!”, përfundon xhaxhai i vrasësit të gjyqtarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë