Gazeta Si – Pas zhvillimit të homazheve para kryeministrisë për viktimat e “21 Janarit”, xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika, ka marrë informacione në SPAK nga prokurori i çështjes, Alfred Shehu, për t’u informuar mbi hecurinë e hetimeve.
Nika u shpreh se zëri në audio-regjistrimin e dorëzuar prej tij në SPAK dhe e dërguar për ekspertizë jashtë vendit, është identifikuar, por nuk jep më tepër detaje.
“Do të takoj prokurorin për ta pyetur për ecurinë e hetimeve, jemi palë në procesin hetimor dhe janë të detyruar të na japin shpjegime. Nuk kemi informacion deri tani. Janë bërë ekspertimet, zëri është identifikuar i kujt është, janë sekrete hetimore. Kam kërkuar unë takim”, tha Mark Nika pak para se të hynte në Prokurorinë e Posaçme.
Pasi doli nga SPAK, Nika u shpreh se prokurori Alfred Shehu i kishte shpjeguar se hetimet po ecnin dhe kanë përparim.
“Se kur do të përfundojnë, kjo është një çështje e tyre. Nuk u futa në hollësi, Ne kërkojmë me insistim që çështja të avancojë. Drejtësinë e kemi kërkuar nga drejtësia, jo nga e vjetra, por tani nga SPAK. Drejtësinë e duam vetëm nga SPAK”, tha ai ai.
Nika akuzoi ish-kryeministrin e kohës Sali Berisha si përgjegjësin kryesor, duke përmendur dhe ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha.
Ndër të tjera ai tha se vënia në vend e drejtësisë, nuk është përgjegjësi e Edi Ramës dhe mazhorancës.
“Nuk është përgjegjësia e mazhorancës, nuk kemi as komunikim për këtë punë. Nuk kam kërkuar kurrë nga Rama për drejtësi, drejtësinë e dua nga SPAK. Këtë kërkova dhe unë pse po vonohet. Prokurori i çështjes më tha që janë veprime që duhet të restaurohet dosja e vjetër. Hollësira nuk më dha prokurori, ai do të zbatojë procedurat kaq mund të më thoshte ai mua. Në kuptimin e ekzekutimit të tij, në planin politik, dihet është Partia Demokratike, Berisha. Ai ka qenë kryeministër, ministër i Brendshëm ka qenë Lulzim Basha. Po të jenë trima le të thonë e kemi bërë ne. Ata e fshehin, pse e fshehin kur nuk ke faj? Pse ik Pse fshihesh. pse bën manipulimin e provave? Ndërsa prokurori i çështjes po heton me kompetencë procedurat. Kanë frikë edhe dëshmitarët. Kanë presion nga ata që e kanë bërë krimin”, tha Nika
Nika theksoi se çështjen tanimë ia kanë lënë SPAK-ut në dorë, duke nënvizuar se nuk kërkon hakmarrje, por drejtësi.
“21 Janari për ne ishte ditë tragjike. Koha për politikanët, pushtetarët dhe diplomatët e huaj mbaroi. Çështja e 21 Janarit nuk është më një debat politik, por një çështje penale që kërkon përgjegjësi ligjore dhe drejtësi të plotë. Ne nuk duam hakmarrje, por drejtësi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


