Futboll

Xhani Infantino, vizitë zyrtare në Shqipëri muajt e ardhshëm

Gazeta Si – Xhani Infantino, presidenti i FIFA-s, do të vizitojë Shqipërinë. Numri 1 i organit që drejton futbollin botëror e ka konfirmuar vetë këtë fakt, por ende nuk ka një datë për vizitën e tij në Tiranë.

Infantino i ka dërguar një letër presidentit të FSHF-së, Armand Duka, me anë të së cilës konfirmon vizitën. Ardhja e tij në Tiranë do të bëhet me rastin e inaugurimit të “Shtëpisë së Futbollit”, një investim i FIFA-s.

Letra e Infantinos. Gazeta Si, 19 maj 2022

“Jam shumë i kënaqur që pata rastin t’ju takoj javën e kaluar në Vjenë, për Kongresin e 46-të të Zakonshëm të UEFA-s. Do të jetë një kënaqësi e madhe për mua të vizitoj vendin tuaj në muajt në vijim. Zyrat tona do të kontaktojnë për të gjetur datën dhe orën e duhur për vizitën”, – shkruan Infantino në letrën drejtuar Dukës.

Kreu i FIFA-s përmend në letër edhe finalen e Ligës së Konferencës. “Ju uroj sa më shumë suksese për organizimin e finales së ‘UEFA Conference League 2022’ në Tiranë”, – shkruan Infantino. Ai, me sa duket, nuk do të jetë në “Air Albania” më 25 maj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë