Një xhami në zonën e Bulqizës i është vënë zjarri dy herë brenda pak orëve. Pavarësisht se zjarri dyshohet të jetë i qëllimshëm, asnjë person nuk është identifikuar deri më tani si autor.
Besimtarë të Bulqizës thanë se të dielën në mesditë dhe në mbrëmje janë alarmuar kur kanë parë tym e flakë në xhami. Ata kanë njoftuar Policinë lokale dhe zjarrfikësen.
Ndërhyrja e tyre në kohë ka mundësuar shuarjen e zjarreve në institucionin fetar. Kryemyftiu i Bulqizës Sejdin Strazimiri tha se përderisa zjarri është shfaqur dy herë brenda pak orëve, tregon se ato janë të qëllimshëm.
“Ne nuk kemi asnjë dyshim kush është autori apo autorët. Nuk kemi konflikte apo probleme me askënd. Kërkojmë nga strukturat shtetërore zbardhjen e ngjarjes”, tha Strazimiri.
Në vitin 1993 ish-Këshilli i Rrethit Bulqizë dha leje ndërtimi për xhaminë e qytetit. Deri në vitin 2005 objekti shërbeu si medrese. Edhe pesë vjet më vonë xhamia shërbeu si qendër trajnimi për kurse të ndryshme dhe qendër kulturore.
Pas vitit 2010 objekti u amortizua dhe Myftinia Bulqizë kërkoi legalizimin e truallit, për të ndërtuar një xhami të re, me ndihmën e donatorëve të huaj. Ngjarja e fundit, e para e këtij lloj në këtë qytet, ka ngjallur indinjatë te besimtarët e zonës.
Sipas tyre kjo xhami ka dhënë një kontribut të madh për njerëzit në nevojë. Ata kërkojnë ngjarje të tilla të ndalen dhe autorët të vihen para ligjit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




