Me paraqitjen e bërë ndaj Francës, Granit Xhaka ka bërë për vete tifozët e Romës, të cilët e presin, ashtu si trajneri Mourinjo, por më parë duhet bindur Arsenali me ofertën e duhur. Kapiteni i Zvicrës po shijon momentin magjik pas kalimit në çerekfinale të Euro 2020.
"Kemi shkruar historinë e kësaj kombëtareje. Të gjithë zviceranët në botë janë krenarë, kemi bërë diçka të pabesueshme, të vështirë për t’u thënë me fjalë”, - është shprehur Xhaka pas fitores me Francën. Ai do të mungojë në çerekfinale ndaj Spanjës për shkak kartonësh, por ka besim se skuadra do të tregojë forcën e saj sërish.
“Luajtëm një pjesë të parë gati perfekte, - ka theksuar Xhaka për mediet zvicerane. – Pastaj ajo penallti e humbur dhe dy gola të pësuar, por u kthyem në ndeshje në një pënyrë të pabesueshme, duke barazuar nga 3-1 në 3-3. Dhe e gjitha kjo kundër Francës, që ka futbollistët më të mirë në botë. Vështirë të gjej fjalë. E ardhmja? Nuk i dihet, mund të filloj të mësoj italishten”.
Nga kjo fjali e fundit e futbollistit shqiptar që luan për Zvicrën kuptohet lehtë se ai e dëshiron një kalim të mundshëm në Serinë A, me fanellën e Romës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.