Taulant Xhaka dhe Ivan Balliu nuk do të paraqiten në grumbullimin e Kombëtares për tri ndeshjet e shtatorit me Poloninë, Hungarinë dhe San Marinon. Nga burime jozyrtare është bërë me dije se dy lojtarët me përvojë e kanë refuzuar ftesën kuqezi për shkak dëmtimesh.
Në fakt, refuzimi i Xhakës lë shumë dyshime. Ndoshta futbollistit 30-vjeçar nuk i ka dalë inati me lënien jashtë Kombëtares në periudha të mëparshme, sidomos kur skuadra drejtohej nga Panuçi. Mesfushori ka pasur jo pak herë përplasje në distancë me trajnerët, edhe pse asnjëherë nuk ka dalë hapur, por ka thënë se është i gatshëm t’i shërbejë fanellës kuqezi.
Mungesa e Xhakës i prish punë trajnerit Reja për sfidat me Poloninë dhe Hungarinë, pasi ai ka një përvojë të konsiderueshme ndërkombëtare dhe do ta ndihmonte shumë skuadrën.

Edhe refuzimi i Balliut ngre dyshime, duke qenë se ai e luajti të plotë ndeshjen e fundit me Rajo Valekanon në kampiontin spanjoll. Mbrojtësi i krahut të djathtë e ka refuzuar ftesën, sepse ndjen shqetësim në muskujt e barkut dhe mjekët e skuadrës spanjolle e kanë këshilluar të mos luajë.
Trajneri Edi Reja pritet që të shpallë më 28 gusht listën e lojtarëve të grumbulluar për tri ndeshjet kualifikuese të muajit shtator.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




