Një ditë para se Parlamenti të votojë dekretin për largimin e tij, ministri ende në detyrë Fatmir Xhafaj mbajti një fjalim përshëndetës. Ai vendosi të fliste për ato që i quajti suksese, por edhe sfidat që ka vendi në forcim të ligjit.
Duke u ndalur në një prej problemeve më të theksuara të vendit, kultivimin e kanabisit, Xhafaj tha se në pak muaj e hoqën Shqipërinë nga harta e zezë.
“Lufta kundër kultivimit të kanabisit ishte ndër prioritetet që ne e përmbushëm. Në 27 mars deklaruam luftë pa kompromis të këtij fenomeni. Dëshiroj tu them kritikëve tanë, që kanabisi ishte kthyer në burimin e fuqizimit financiar të krimit. Pres me padurim rezultatet e partnerëve ndërkombëtarë”, tha Xhafaj.
Duke folur për fenomenin e azilkërkuesve shqiptarë në Europë, Xhafaj tha se ky problem për pak riktheu regjimin e vizave.
“Në korrik vendi ishte nën kërcënimin e kthimit të vizave, si pasojë e azilantëve. Kjo u kthye në prioritet nga ne. Në mundëm që brenda 1 viti t’i kthejmë shifrat e azilantëve në një histori suksesi, që po tentohet të prezantohet si model në Europë”, tha ministri ende në detyrë.
Ai deklaroi se nën drejtimin e ministrisë nga ana e tij, ra miti i të paprekshmit për çdo kriminel, duke iu referuar operacionit “Forca e Ligjit”.
Xhafaj kishte edhe një mesazh për zv.ministrin e Brendshëm Sandër Lleshi, i cili do të drejtojë një nga institucionet më të rëndëishme në vend.
“Gjej rastin t’i uroj pasardhësit tim, ministrit të ri të Brendshëm shumë sukses në detyrën që shumë shpejt do të marrë, duke qenë i bindur se me eksperiencën dhe formimin që posedon, ai do t’ju qëndrojë, mbrojë dhe promovojë më tej vlerat e Policisë së Shtetit. Ai është tashmë në bordin e një treni të nisur, tren i cili uroj të eci edhe me më shumë shpejtësi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.