Politike

Xhaçka: S’mund ta mbështesim kur shohim që e ka gabim, Kosova të dëgjojë aleatët

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka reaguar për zhvillimet e fundit në Kosovë gjatë  një fjale të mbajtur në Kuvend.

“Është e domosdoshme që qeveria e Serbisë të lirojë të tre policët. Lirimi i tyre do ishte në kuadër të zbutjes së tensioneve. Ndërkohë i lëmë kohë KFOR-t të zbardhë atë që ka ndodhur” tha Xhaçka.

Sa i takon ndalimit të automjeteve për në Kosovë me targa serbe, ajo tha se duhet të garantohet lëvizja e lirë si angazhim i rëndësishëm që vendet kanë marrë në kuadër të Procesit të Berlinit.

“I kemi ndjekur me shqetësim deklaratat e qeverisë së Kosovës për ndalimin e automjeteve me targa serbe. Lëvizja e Lirë është angazhim i rëndësishëm që vendet kanë marrë në kuadër të krijimit të një tregu të përbashkët rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Qeveria ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për masa tregtare por për masa sigurie. Mbetet të shohim si do zbatohet kjo por shpresojmë që të mos ndodhë sepse do të dobësonte pozitën e Kosovës në sytë e aleatëve” shtoi ajo.

Ajo hodhi poshtë akuzat e opozitës mbi mungesën e mbështetjes së Shqipërisë së Kosovës duke thënë se nuk mund të ketë deklarata mbështetëse kur sipas saj, qeveria e Kosovës po merr vendime të gabuara që mund të tensionojnë situatën.

“Pas anulimit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive kam dëgjuar shumë teori për mungesën e mbështetjes së Shqipërisë ndaj Kosovës. Ata që bërtasin më shumë se iu digjet barku për Kosovën janë ata që i kanë bërë më shumë dëm Kosovës. Të gjithë e dinë se kush furnizonte me naftë Millosheviçin.  Po kjo nuk do thotë se duhet të mbështesim qeverinë e Kosovës edhe kur shohim se është gabim në ato që bën. Kjo nuk do ishte gjë e mirë dhe le të bërtasin sa të duan analistët. Është e domosdoshme që Kosova të dëgjojë aleatët tanë për shtensionimin e situatës. Dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Europian është rruga e normalizimit të marrëdhënieve” përfundoi ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë