Motosport

‘WRC 2025’ – Ogier fitoi në Japoni dhe rihapi luftën për titull

Nga Gazeta Si – Sébastien Ogier triumfoi në “Rally Japan FORUM8”, duke ndezur një betejë për titullin Botëror në “Rally FIA 2025”, ndërsa garat zhvendosen drejt finales në Arabinë Saudite.

Tetë herë Kampioni i Botës mbrojti epërsinë e tij ndaj shokut të skuadrës në  “Toyota Gazoo Racing” dhe liderit Elfyn Evans, gjatë etapës përmbyllëse nën reshjet e shiut.

Në fund fitoi me 11.6 sekonda avantazh që ngushtuan diferencën në vetëm 3 pikë. Kalle Rovanperä, u rendit i 6 dhe mbeti 24 pikë larg kreut, duke bërë që të 3 pilotët e Toyota-s të jenë në garë për titullin, ndërsa shpresat e zbehta të Ott Tänak u shuan plotësisht.

Shiu i dendur përfshiu 6 etapat e fundit rreth Aichi dhe Gifu, duke i kthyer rrugët me asfalt në lumenj me ujë të ndenjur.

Evans e nisi ditën 6.5 sekonda pas dhe fillimisht dukej i gatshëm të kundërsulmonte, duke fituar 0.8 sekonda ndaj francezit në testin hapës të Nukata-s, përpara se Ogier të rikthente kontrollin në etapën pasuese në Liqenin Mikawako.

Piloti i Hyundai-t, Adrien Fourmaux, që mbante vendin e 3 pas së shtunës, doli nga rruga dhe përfundoi në pemë, duke shqyer një derë të makinës së tij “i20 N Rally1” dhe u tërhoq pak më vonë.

Kjo i dha mundësinë Sami Pajari-t të ngjitej në podiumin e tij të parë në karrierë – një rezultat që vulosi një vit të shkëlqyer për 23-vjeçarin finlandez dhe 3 vende të para për Toyota-n në shtëpi.

Ogier rriti diferencën në 8.3 sekonda, përpara se ta zgjeronte edhe më tej në dy etapat përfundimtare për të siguruar një fitore bindëse.

Pajari mbrojti vendin e tretë përpara Tänak, i cili pësoi një shpim gome në shiun e mëngjesit, por arriti të fitojë SS15 me Hyundai-n e tij.

Piloti i “M-Sport Ford”, Grégoire Munster, barazoi rezultatin më të mirë të karrierës duke u renditur i 5, ndërsa Rovanperä u ngjit në vendin e 6 pasi humbi disa minuta të premten për shkak të dëmtimeve në pezullim.

Oliver Solberg u rendit i 7 me Toyota-n “GR Yaris” specifikimi Rally2, ndërsa Alejandro Cachón fitoi kategorinë WRC2 përpara Nikolay Gryazin.

Jan Solans e plotësoi top10, pasi humbi një vend pas një rrotullimi në etapën e parafundit. Botëri “Rally FIA 2025” do të përfundojë me edicionin inaugurues të “WRC Rally Saudi Arabia”, në sipërfaqe zhavorri në Jeddah nga 26 deri më 29 Nëntor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë