Motosport

WRC 2025 – Evans fiton në Kenia dhe rrit diferencën në klasifikim

Elfyn Evans dominoi terrenin e ashpër të “Safari Rally Kenya” duke siguruar një fitore të rëndësishme në “FIA World Rally Championship”. Piloti i Toyota GR Yaris Rally1 i ndihmuar nga Scott Martin, triumfoi ndaj rivalit në Hyundai, Ott Tänak me diferencën prej 1 minutë e 9.9 sekondash për suksesin e dytë sezonal dhe diferencën më të madhe në kryesim pas 3 garave të para. Evans mbërriti në Afrikë pas fitores në Suedi dhe vendit të dytë në “Rallye Monte-Carlo”. Me avantazhin prej 36 pikësh uellsiani i ka dhënë një goditje të madhe rivalëve për titull pas 3 nga 14 raundet e para. Suksesi i tij u ndoq nga 250.000 tifozë, një numër progresiv krahasuar me 188.000 në vitin 2024.

Evans mori kryesimin të premten pas fshirjes së kohës së Tänak në bordin e Hyundai i20 N Rally1 – e prej atij momenti nuk e ktheu më kokën pas. Gara e tij nuk pati probleme të mëdha teknike pasi ai ja doli të kalonte shfryrjen e gomave dhe një difekt elektrik drejt etapës së fundit. Tänak provoi të mbyllte distancën në kilometrat e fundit por Evans rezistoi duke u bashkuar në grupin e britanikëve që kanë triumfuar në Safari – në gjurmët e Colin McRae dhe Richard Burns. 23 vite pas McRae ai u bë britaniku i 3 që fiton në “Safari Rally Kenya”. Ndërsa në klasin WRC2 trumfoi binomi Gus Greensmith – Jonas Andersson.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë