Ndonëse lufta në Ukrainë uli kërkesën për udhëtime ajrore dhe destabilizoi çmimet në të gjithë globin, me afrimin e stinës së verës operatorët thonë se shqiptarët kanë nisur të rezervojnë në masë për të bërë pushimet por gjithmonë e më shumë drejt tendencës për biletat low-cost( me çmim të ulët).
Kompanitë ajrore low-cost që në fakt kanë ‘’demokratizuar’’ udhëtimin po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje vitet e fundit, sidomos me pandeminë kur njerëzit ndjenë nevojën për të udhëtuar por nuk përballonin dot çmimet e ‘kripura’ të biletave.
Shqiptarët rendin drejt biletave low-cost
Këtë në fakt e pohon për Gazetasi.al edhe Enkeleda Londo, drejtore menaxhuese e Wizz Air Albania, kompani e njohur për kostot e lira të fluturimit, e cila thotë se në mars kjo kompani transportoi pesë herë më shumë pasagjerë, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të shkuar.
“Sektori i fluturimeve e vijoi rekuperimin e tij pas Covid-19. Gati 2.5 milionë fluturime u rezervuan muajin e kaluar, krahasuar me vetëm 480.200 në mars të 2021-shit, kur shumë vende europiane ishin nën bllokime të rrepta kombëtare.
Numri i pasagjerëve që kanë fluturuar me linjën ajrore në 12 muajt e fundit është mbi 27 milionë,rreth një e treta më e ulët se në vitin para fillimit të pandemisë”, thotë ajo për Gazetasi.al teksa shton se njerëzit po udhëhiqen gjithnjë e më shumë nga biletat me kosto të lira.
Kërkesa e lartë për udhëtime do ta bëjë këtë kompani të shtojë në bazën e saj në Tiranë një flotë prej nëntë avionësh të rinj modernë.
Megjithatë, plani i vetëm kryesor i momentit sipas Londos është të kapërcejnë të gjitha efektet negative që pandemia u shkaktoi linjave ajrore pasi deri para një viti, nga Tirana nuk mund të kryhej dot asnjë fluturim.
“Me ndryshimin e klasës drejtuese të aeroportit, tashmë rritëm numrin e destinacioneve. Ndryshimi erdhi me operatorët e rinj shqiptarë ku u bë më e lehtë dhe u panë nevojat tona.”
Shqipëria dhe shoqëritë ajrore kanë pasur gjithmonë një marrëdhënie të komplikuar.
Edhe pse u liberalizuan vizat, çmimet e larta të fluturimeve i kanë privuar jo pak shqiptarët nga udhëtimet e lirshme në Europë ndaj ata po përpiqen të përfitojnë nga biletat low-cost për të udhëtuar në sa më shumë destinancione, pohojnë jo pak herë tur-operatorët.
Ata shtojnë se çmimet e larta të biletave janë diskutuar shpesh herë dhe në komisionet parlamentare të ekonomisë, duke arritur edhe një sërë marrëveshjesh për heqjen e eksluzivitetit të Aeroportit të Rinasit, por rezultatet nuk kanë qenë shumë të kënaqshme për qytetarët.
Çmimet e biletave ishin më të lartat në rajon dhe për të njëjtat fluturime nga Tirana, qytetarët detyroheshin të udhëtonin nga Shkupi apo Podgorica për të arritur në fund në destinacionet europiane.
Shoqëritë ajrore, veçanërisht ato low-cost paguajnë më pak detyrime në rast se fluturojnë në këto aeroporte dhe kjo është arsyeja e çmimeve më të ulëta të biletave.
“Bileta jonë më e ulët është 20 euro ndërsa ofrojmë 47 linja drejt 14 vendeve nga Shqipëria. Edhe pse Wizz Air i ka filluar operimet në Shqipëri më 17 prill të vitit 2017, ka transportuar deri tani mbi 2.2 milionë pasagjerë, një numër i konsiderueshëm turistësh”, shton mandej ajo për Gazetasi.al.
Rezervimet e shumta dhe trendi drejt biletave low-cost i bën operatorët e Wizz Air të besojnë se kompania do ta kapërcejë numrin e fluturimeve të vitit 2019 i cili konsiderohet deri tani si viti më i mirë i turizmit shqiptar.
Londo shton për Gazetasi.al se këtë verë kompania pritet të operojë me 40% më shumë kapacitet gjatë muajve të pikut të verës krahasuar me të njëjtën periudhë parapandemike.
Turistët që udhëtojnë sipas Londos janë më të orientuar drejt qyteteve italiane, kjo dhe për shkak të afërsisë gjeografike.

Linjat low cost janë win-win, Shqipëria gjithnjë e më e njohur për turistët
Nga ana tjetër, kjo linjë po kontribuon vazhdimisht edhe në promovimin e turizmit shqiptar, sipas tur-operatorëve.
Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik thotë për Gazetasi.al se trendi në rritje i fluturimeve drejt Shqipërisë me ‘charter’ vërteton se jemi një vend tërheqës edhe për kompanitë ajrore.
“Ne tashmë kemi krijuar një bazë të perhershme turistësh që përgjithësisht janë ata të turizmit të organizuar dhe që vijnë me charter.Kryesojnë nordikët, polakët dhe zviceranët. Ndonëse këtë vit ukrainasit dhe rusët mungojnë nga lufta, sërish vihen re rezervime, çka nënkupton se Shqipërinë e duan”,shtoi ai mandej.
Enkeleda thotë për Gazetasi.al se Wizz Air ka 21 destinacione të lidhura me Tiranën dhe kjo falë mbështetjes nga drejtuesit e rinj të aeroportit.
“Po përpiqemi të sigurojmë ofertat më të mira dhe biletat low-cost për shqiptarët dhe turistët e huaj, të cilët janë kureshtarë për destinacione të reja, siç është Shqipëria. Shqipëria është një treg potencial për të huajt.
Shteti ynë ka një topografi të larmishme, duke përfshirë male, lugina, pyje, lumenj, liqene dhe plazhe. Vendi ofron shumë mundësi për eksplorimin e trashëgimisë kulturore dhe vendeve arkeologjike që datojnë që nga koha pararomake dhe greke. Amfiteatret, kështjellat, qytetet romake, manastiret dhe kishat antike janë ndër pikat arkeologjike me interes që Shqipëria ka për të ofruar, disa prej të cilave janë vende të mbrojtura nga UNESCO.
Wizz Air, linja ajrore me rritjen më të shpejtë dhe më të gjelbër në Europë, mbetet shumë e përkushtuar ndaj Tiranës, tregut shqiptar dhe ofrimit të shërbimeve të shkëlqyera të shoqëruara me tarifa të ulëta për pasagjerët e saj të shquar”, thotë ajo për Gazetasi.al.
Hapja e vendeve të reja të punës
Në fund, Londo shton për Gazetasi.al se kjo kompani dhe biletat low-cost nuk po punojnë vetëm në drejtim të zhvillimit të turizmit në Shqipëri, por gjithashtu po hapin shumë vende të reja pune për të rinjtë shqiptarë.
“Wizz Air vazhdon të rrisë rekrutimin në Shqipëri, ndërsa kërkon sërish të punësojë më shumë ekuipazh në kabinën nga baza e saj në Tiranë.
Linja jonë ajrore do të rekrutojë sërish punëtorë gjatë muajve në vijim dhe stinës së verës, në të gjithë vendin. Wizz Air mirëpret aplikimet si nga ekuipazhi i kabinës që ka përvojë të mëhershme, ashtu edhe nga ata që nuk kanë. Aktualisht janë rreth 350 punonjës shqiptarë të punësuar në kompaninë tonë”, thotë ajo për Gazetasi.al.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




