Kupë Bote në futboll çdo dy vite. Ky është propozimi i ish-trajnerit francez Arsen Wenger, që është gati të ndërtojë një plan për të ndryshuar panoramën e futbollit botëror dhe të kalojë përsëri aktivitetet e kombëtareve në qendër të vëmendjes.
Wenger është emëruar shefi i departamentit të Zhvillimit Global të Futbollit në FIFA dhe kërkon të bëjë revolucion. Mesatarja e moshës së futbollistëve që marrin pjesë në Botëror është 27-28 vjet. Kjo sepse Kupa e Botës është çdo katër vite dhe ka shumë pak shanse për ta fituar, pasi kur kthehen përsëri në atë turne, lojtarët janë 32-33 vjeç.
Kjo është arsyeja sipas Wenger që duhet të organizohet Kupa e Botës çdo dy vite. Ish-trajneri francez shigjetoi sërish Ligën e Kombeve në Europë, një turne që sipas tij nuk ka interes, madje edhe nga kombëtaret e vogla, për të cilën u ndërtua kompeticioni. Një tjetër ide e Wenger është ndryshimi i kualifikueseve, duke i grumbulluar ndeshjet në dy grupe gjatë vitit e jo në mars, qershor, shtator, tetor e nëntor siç është tani.
Kjo sepse lojtarët largohen në 5 periudha të ndryshme dhe kjo dëmton kampionatet dhe klubet. Propozimi është që eliminatoret e Botërorit të bëhen në 1 ose dy muaj, ku edhe përqendrimi është maksimal, me numër më të madh grumbullimi lojtarësh për çdo rast.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




